U dënua për ndihmë në vrasje: Kunati i Albulena Haxhiut merr leje edhe për punë në biznes pasi iu ndryshua qendra e burgut - NACIONALE

U dënua për ndihmë në vrasje: Kunati i Albulena Haxhiut merr leje edhe për punë në biznes pasi iu ndryshua qendra e burgut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hazir Krasniqi, vëllai i bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është i dënuar për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”. Në fund të vitit 2021, ky u transferua nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Disa muaj më vonë, më konkretisht në korrik të këtij viti, i njëjti do të fillonte punë jashtë institucionit, derisa po vuan ende dënimin. Shërbimi Korrektues i Kosovës mohon të ketë pasur ndikim të ministres në krejt këtë, ndërsa kjo e fundit na foli shumë shkurt.

Skender Limaj kishte mbetur i vdekur në vitin 2011, pasi që siç raportohej, Emin Krasniqi kishte shtënë me armë ndaj tij në një restorant të Banjës së Malishevës.

Në vitin 2020, Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Emin Krasniqit, Astrit Krasniqit, Durim Krasniqit dhe Hazir Krasniqit, në lidhje me rastin e përmendur më lartë.

Ky i fundit, në këtë rast akuzohej për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Transferimi i Hazir Krasniqit

Burime të gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se Krasniqi, familjari i ministres Haxhiu, është transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

I njëjti burim, ka thënë se kjo ka ndodhur pa procedurat e nevojshme, gjë të cilën na e mohoi drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi.

“Ju siguroj, se asnjë i burgosur, pavarësisht se kush është, nuk mund të kalojë pa iu nënshtruar procedurave të vlerësimit dhe kritereve të cilat SHKK i aplikon për të gjithë të burgosurit pa dallim.” - ka thënë ai për Nacionalen.

Gashi ka treguar edhe datën kur është bërë transferimi në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

“Hazir Krasniqi, i dënuar me 4 vite e 6 muaj për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”. I njëjti, është transferuar nga Qendra e Paraburgimit, Prishtinë më datë 13.12.2021 në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.” - i tha drejtori i SHKK-së, Nacionales.

Krasniqi – I dënuar, por punon në biznesin e vet

Nacionale e ka siguruar lejën për punë jashtë institucionit, në këtë rast Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, dhënë për Hazir Krasniqin.

Siç thuhet aty, Krasniqi punon për pesë ditë në javë, nga 8 orë. I njëjti, del nga qendra në orën 07:00 dhe kthehet në 17:00, pra pasdite.

Orari i punës, është nga ora 08:00, deri në orën 16:00.

Lokacioni, ku kunati i ministres Haxhiu punon, është në Carralukë të Malishevës, në një biznes të njohur me emrin “OLA Shpk”.

Nacionale ka parë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneve në Kosovë, se vet Krasniqi, është pronar i këtij biznesi.

Veprimtaria e “Ola Shpk” është tregti me shumicë e kafesë, çajit, kakaos dhe erëzave, tregti me shumicë e sheqerit, qokollatës dhe emëlsirave, si dhe tregti me shumicë e pijeve.

Se Krasniqi është i punësuar, na e konfirmoi edhe drejtori i SHKK-së, Sami Gashi, i cili mes tjerash, e ka cilësuar atë edhe si një prej të dënuarve “më të diciplinuar dhe më të sjellshëm”.

Veç kësaj, Gashi i konfirmoi Nacionales se Krasniqi, është shfrytëzues i shumëfishtë i beneficionit “vikend në shtëpi”.

“I dënuari, H.K, ka filluar punën jashtë institucionit më datë 28.7.2022 bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2019 për punë jashtë institucionit bazuar në rregullat dhe kriteret e përcaktuara sipas ligjit në fuqi. Po ashtu, është një nga të dënuarit më të diciplinuar dhe më të sjellshëm në burgun e Smrekonicës, si dhe është shfrytëzues i shumëfishtë i beneficionit vikend në shtëpi.” - tha ai.

Për krejt këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkurt na tha: “Këto nuk janë kompetencë e imja”.

Çka thotë ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale?

Nenet 71 dhe 72 të ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, e sqarojnë punësimin e personit të dënuar brenda ose jashtë institucionit korrektues.

Neni 71 thotë se:

1. Personi i dënuar mund të punësohet brenda, ose jashtë institucionit korrektues.

2. Organizimi dhe metoda e punës brenda institucionit korrektues duhet të jenë sa më afër punës së ngjashme që kryhet jashtë institucionit korrektues.

3. Kushtet dhe procedurat e veçanta për dhënien e lejes për të dënuarit që të punojnë jashtë institucionit korrektues dhe procedura për punën e të dënuarve jashtë institucionit korrektues përcaktohen me akt nënligjor të Ministrit të Drejtësisë.

4. Dispozitat e ligjeve të punës, përfshirë dispozitat për të lidhur kontrata të punësimit, kompensimin, dhe festat vlejnë ndaj punës së pambikëqyrur të dënuarve jashtë institucioneve korrektuese. Kontrata e punësimit e lidhur me një të dënuar nuk duhet të tregojë se ai ose ajo është duke vuajtur dënimin.

5. Punëdhënësi e bënë bartjen e pagës së të dënuarit, i cili punon jashtë institucionit korrektues, tek llogaria bankare e shërbimit korrektues.

6. Të drejtën e punësimit jashtë institucionit korrektues e kanë të dënuarit të cilët janë të vendosur në institucione korrektuese të tipit të hapur dhe gjysmë të hapur apo janë të vendosur në Njësi të hapur në institucione korrektuese të tipit të mbyllur.

Neni 72 thotë se:

1. Personi i dënuar punon dyzet (40) orë në javë, por orari i punës mund të jetë më i gjatë sipas kushteve të përcaktuara me ligj.

2. Personi i dënuar që vijon shkollimin e përgjithshëm, ose atë profesional punon proporcionalisht më pak orë.

3. Personi i dënuar mund të urdhërohet të punojë jashtë orarit të punës deri në dy (2) orë në ditë për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe kryerjen e obligimeve të tjera të zakonshme në institucionin korrektues.

4. Kur me legjislacionin përkatës në fuqi koha e kaluar në punë pranohet me qëllim të fitimit të kualifikimit profesional, koha e kaluar në llojin e njëjtë të punës gjatë kohëzgjatjes së dënimit me burgim, ose me burgim të përjetshëm pranohet po ashtu për atë kualifikim.

Lajme të ngjashme