Burgimi i përjetshëm në Kosovë: Një person u dënua dy herë, por të gjitha rastet u rikthyen - NACIONALE

Burgimi i përjetshëm në Kosovë: Një person u dënua dy herë, por të gjitha rastet u rikthyen

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Në gushtin e vitit të kaluar, Kosova u trondit nga vrasja e një vajze të re nga Ferizaj. Marigona Osmani dyshohet se në mënyrë mizore u vra nga tanimë ish-bashkëshorti, Dardan Krivaça.

Këto ditë Prokuroria e Ferizajt dorëzoi pranë Gjykatës aktakuzën për këtë rast.
Aty u zbuluan detaje mjaft tronditëse, për mënyrën e kryerjes së kësaj vrasje.

Edhe më tronditës ishte raporti i autopsisë nga ku dolën detaje rreth gjendjes shëndetësore të të ndjerës Osmani.

Ky rast ngjalli shumë reagime si tek opinioni i gjerë publik, profesionist të fushës, e edhe të organizatave që merren me të drejtat e grave.

Në rastin konkret, i takon gjykatës që të vendosë për denimin e autorëve, por ky rast padyshim ngjalli një debat në Kosovë: Cili është denimi më i rëndë në Kodin Penal? A i është shqiptuar ndonjëherë dikujt? A është i mjaftueshëm ai denim?

Në kodin penal të Republikës së Kosovës, denimi maksimal që mund të marrë një gjykatë ndaj kryerësit të veprës është denimi me “burgim të përjetshëm”.

Ndonëse ky vendim u mor 7 herë, ai asnjëherë nuk e mori “vulën” përfundimtare nga gjykatat.

Avokati Arbër Jashari, për Gazetën Nacionale ka dhënë opinionin e tij, se pse kjo gjë përsëritet vazhdimisht në Kosovë. Ai ka thënë se gjyqtarët e shkallës së parë, këtë dënim e kanë dhënë me "lehtësi", përderisa instanca më e lartë është më e matur në këtë aspekt, prandaj asnjëri nga këto 7 raste nuk janë vërtetuar deri në fund.

“Deri më tani gjykatat e Kosovës, e kanë shqiptuar dënimin me burgim të perjetshem në shtatë raste, por asnjëri nga ta nuk është vërtetuar në të gjitha instancat gjyqësore. Kjo veç sa vërteton edhe më shumë bindjet e mia si jurist, se gjykatat e instancave më të ulëta, me lehtësi dhe pa ndonjë kriter të pranueshëm, e vënë në zbatim, atë që sipas legjislacionit tonë penal është dënim kapital. Të gjitha vrasjet janë të llahtarshme. Por vrasja nga vrasja dallon. Për atë ne drejtësi është një institut qe quhet “individualizimi i dënimit” . Pastaj edhe pasojat nuk janë njësoj." ka thënë Jashari.

Tutje avokati, ka theksuar specifikat, se si duhet të matet një denim caktuar. Sepse sipas tij, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka mjaftueshëm mundësi, që dënimin ta shqiptojë krahas, specifikave të rastit konkret, duke tërhequr vërejtjen, se gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk duhet të bijnë nën presionin e publikut.

Nuk është njëjtë si dikush qe është torturuar për 48 orë, deri në vdekje (rasti i Marigona Osmanit) , si rasti i dikujt tjetër që është vrarë me armë. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, krahas dënimit me burgim të përjetshëm, ka paraparë edhe dënimin me burgim i cili mund të zgjas deri në 25 vjet. Ndërsa për veprat penale, që me ligj parashihet dënimi me burgim të përjetshem, gjykata mund të shqiptoj dënim deri në 35 vjet burgim. Konsideroj se kjo ka ndodhur për disa arsye. Presioni medial dhe i shoqërisë civile. Dëshira për t’u bërë lajm dhe për të pushtuar titujt e portaleve. Synimi për t’u avancuar dhe ngritja në karrierë etj”. ka shtuar Jashari.

A u dënua dikush në Kosovë me burgim të përjetshëm?

Prej kur ka hyrë në fuqi Kodi Penal i Republikës së Kosovës, 1 janar 2013, denimi maksimal u shqiptua 7 herë.

6 janë personat që morën këtë dënim, pasi në një rast i njëjti përson u dënua dy herë.

Megjithëse i kemi 7 raste e 6 njerëz ndaj të cilëve u aktivizua neni më i rëndë i kodit penal, i njëjti asnjeherë nuk i kaloi të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Pra, në Kosovë numri i atyre që e vuajnë përjetësisht burgun, me një verdikt përfundimtar të gjykatave është zero.

Disa nga rastet kur ky dënim u shqiptua – për tu anuluar ose zbutur më vonë

Vrasja në Kazino

Për një vrasje në marsin e vitit 2019 në një kazino në Suharekë, ish-polici Shefki Spahiu u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Prizren. Dënimi u vërtetua edhe në Apel, por që Gjykata Supreme pas ankesës për mbrojtje të ligjshmërisë, zbuti dënimin në 25 vjet burgim.

Avokati i Spahiut, Emrush Kastrati ka folur për Gazetën Nacionale, duke treguar se si kjo lëndë e mori “kthesën” pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, që Spahiu e kishte bërë në supreme.

Gjykata Themelore në Prizren, e pati denuar me burgim të përjetshëm klientin tim. Edhe apeli e pati vërtetutar dënimin. Pastaj pata bër këkresë për mbrojten e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, aty pastaj u vendos që dënimi i klientit tim të zbutet nga burgim i përjetshëm në dënim me 25 vite burgim.

Edhe pas këtij vendimi, disa medie patën raportuar se klientit tim i ka mbetur dënimi me burgim të përjetshëm, ende e gjeni këtë lajm që nuk është i vërtetë. Mendoj që disa nga mediet kanë problem me gjuhën juridike dhe nuk i raportojnë drejt rastet." ka thënë Kastrati

Pjetër Ndrecaj për vrasjen e gruas së tij

Ndrecaj shtiu me armë mbi gruan dhe vajzën e tij 9 vjeçare, duke i lënë të vdekura të dyja në vend.

Për këtë vepër Gjykata Themelore në Gjakovë si dhe ajo e apelit e kishin dënuar me burgim të përjetshëm autorin.

Ky vendim i themelores edhe pse i qëndroi filtrit të apelit, ai u zhbë në testin përfundimtar.

Gjykata Supreme e prishi këtë vendim duke e kthyer lëndën në rigjykim.

Vrasja e Donjeta Pajazitajt – dënimi i përjetshëm ende aktiv – procesi vazhdon

Më 23 qershor të këtij viti ishte hera e fundit kur gjykatat e Kosovës vendosën për një denim të tillë.

Naser Pajazitaj u dënua nga Gjykata e Ferizajt që pjesën e mbetur të jetës ta kalojë në burg për vrasjen e bashkëfsahtarës së tij Donjetës.
Saga e këtij rasti është e gjatë. Naser Pajazitaj njëherë ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Pejës, herën tjetër ishte dënuar përjetësisht për tu prishur edhe ky vendim nga Apeli, e për tu ndërruar vendi i gjykimit, për në gjykatën e Ferizajt, e cila para pak ditësh ia shqiptoi Ndrecajt burgimin e përjetshëm përsëri.

Ky rast është ende në procedurë, pasi janë potencialisht edhe dy shkallë të tjera që duhet të apelohet ky aktgjykim.

Vrasja e Sabile Mavrovqanit nga bashkëshorti

Nuhi Mavroqani gjithashtu vrau gruan e tij. Vrasja e Sabile Mavroqanit pati “trishtuar” opinionin publik, përshkak të mënyrës mizore të kryerjes së kësaj vrasje.

Sabilja u godit disa herë me shufër metalike në kokë, nga burri i saj Nuhiu.

Edhe ky rast u kthye në rigjykim nga instancat më të larta, për tu vendosur më pas fati i kësaj lënde në Gjykatën Themlore të Gjilanit, aty ku trupi gjykues vendosi që autorit, të kësaj vepre, Nuhi Mavroqanit të i shqiptohet dënim me burgim 25 vite.

Çka thotë ligji?

Denimi me burgim të përjetshëm është i paraparë në nenin 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe përmban 3 paragrafë:

Lajme të ngjashme