U bë drejtor te Lulzim Hetemi, emri i njëjtë që u përmend nga Kurti dy muaj më herët si kriminel i Severna Brigadas
Mund të jetë komike. Por, edhe tragjike. Mund të jetë sidomos absurde. Për çka e kemi fjalën? Kryeministri Albin Kurti e ka përmendur si protestues të dhunshëm dhe anëtar të organizatës kriminale Severna Brigada (shq. Brigada e Veriut) një emër që një muaj më pas do të figuronte në kabinetin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit.
Ishte data 2 qershor. Pak ditë pas protestës së dhunshme të 29 majit në Zveçan. Protestues të dhunshëm do të lëndonin shumë trupa të KFOR-it. Më vonë do të lëndoheshin edhe gazetarë.
E kemi parë se çfarë ka ndodhur me këta protestues të dhunshëm. Janë liruar me kusht. Por, njëri prej tyre si duket do ta kishte fatin shumë shumë më të ëmbël. Si duket do të emërohej drejtor në komunën e kryetarit të vetëngujuar Lulzim Hetemit.
“Tanimë kemi pamje të mjaftueshme me video e me foto të cilat dëshmojnë se eskalimi i situatës më 29 maj ishte i planifikuar, ishte mirë i organizuar dhe kishte autor. Autor është Beogradi zyrtar...” – shprehej fillimisht kryeministri Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. (59:21 – 59:38)
Grupet që po i organizonte Serbia për t’i dalë në ballë protestës ishin sipas Kurtit “kriminale” e “fashiste”.
Dhe, tash dalim direkt e te Nikolla "kriminel."
“Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Axhiq – ka hedhur koktej mollotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe Severna Brigada. Millan Zhivkoviq – po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë. Danillo Krivokapiq. Jovica Llazoviq. Nikolla Radomiroviq. Vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedeljkoviq.” - thoshte kryeministri i Kosovës. Mbajeni mend emrin para vëllezërve. Nikolla Radomiroviq. Ni-ko-lla. Ra-do-mir-o-viq. (1:13:08 – 1:13:38)
Vetëm tetë ditë më parë, babai i drejtor Nikollës, Radojica (bash ai që ishte pjesë e Ushtrisë Jugosllave gjatë kohës sa kjo ushtri bënte krime monstruoze në Kosovë) do t’i shkonte në zyre kryeministrit Albin Kurti. Do të emërohej zv. ministër.
Pra, ia bëri babain zv. ministër më 25 maj, ia përmendi emrin e djalit si kriminel të Severna Brigadas më 2 qershor.
Por, pritni se ka edhe një ‘twist’ (dredhi) tjetër në këtë mesele. Nikolla – që i ishte betuar Serbisë si ushtar i saj më 2021 – s’do të trajtohej si kriminel i Severna Brigadas por do të trajtohej si qytetar i mirë, i ndershëm, që do të kishte aq vlerë sa të bëhej hiç më pak se drejtor në komunën e z. Lulzim Hetemi, kryetarit të ngujuar – ironikisht – prej 29 majit. Kurti nuk do të bënte kurrfarë sqarimi të mëpastajmë se ishte fjala për ndonjë Nikolla Radomiroviq tjetër, apo se e kishte ngatërruar emrin. Ai do t'i qëndronte besnik deklarimit të bërë në atë seancë të Kuvendit të Kosovës.
Në atë seancë tutje kryeministri do të pyeste deputetët e opozitës: “A e kuptoni pra, se me çfarë kemi të bëjmë?”
Me këtë pyetje po e përmbyllim edhe ne këtë artikull. “A e kuptoni pra, lexues të dashur, se me çfarë kemi të bëjmë?”
Për emërimin e Nikolla Radomiroviqit në kabinet të Lulzim Hetemit kishte njoftuar më 4 korrik (një muaj e dy ditë pas fjalimit) ministri Elbert Krasniqi.
Shënim: Fjalimi i kryeministrit në videon e mëposhtme fillon nga minuta 49, ndërkohë që pjesët e cituara më lart janë në minutat që janë vënë anash citimit.

