Turqia do ta miratojë së shpejti anëtarësimin e Finlandës në NATO
Turqia planifikon që ta miratojë aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 14 majit.
Kështu i thanë të mërkurën agjencisë “Reuters” dy zyrtarë turq. Miratimi i aplikimit të Finlandës do të bëhet ndarazi nga aplikimi i Suedisë, me të cilën Turqia, si duket, ka më shumë mospajtime.
Zyrtarët turq thanë se ka shumë gjasa që Kuvendi i Turqisë ta ratifikojë anëtarësimin e Finlandës në NATO para se t’i mbyllë punimet në mesin e prillit për shkak të zgjedhjeve të majit, transmeton gazeta "The Guardian".
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha të martën se është rritur mundësia që Finlanda të anëtarësohet para vendit të tij në aleancë, edhe pse edhe anëtarësimi i Suedisë në NATO është, sipas tij, çështje kohe, raporton agjencia “Reuters”.
“Në fund të ditës, nuk është çështja se a do të bëhet Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s, por kur”- tha ai.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar, por janë ballafaquar me ankesa nga Turqia, e cila thotë se këto dy shtete mbajnë anëtarë të atyre që Ankaraja i cilëson grupe terroriste. Javën e kaluar, tri shtetet i vazhduan bisedimet në Bruksel.
Turqia ka qenë e qartë se ka ankesa më të mëdha ndaj Suedisë se ndaj Finlandës dhe kryeministri suedez tha se ky pozicion i Ankarasë ende mbetet, duke lënë të kuptohet se dy shtetet e Evropës Verore mund të mos anëtarësohen në të njëjtën kohë në NATO, siç parapëlqejnë.

