Kush janë “terroristët” që Turqia po i kërkon nga Suedia e Finlanda
NATO-ja e ka nisur formalisht procesin e anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në aleancë. Megjithatë, një kusht kyç i Turqisë, njëra ndër anëtaret e NATO-s, është dorëzimi i mbi 70 personave, që nga presidenti turk përshkruhen si terroristë.
BBC
Udhëheqësit e dy vendeve të Evropës Veriore thonë se do ta marrin seriozisht këtë çështje, por, në fund, ekstradimi u përket gjykatave e jo politikanëve. Pra, pse Turqia e do ekstradimin e tyre dhe a do të mund të deportohen ndonjëherë ata në Ankara?
Turqia është veçanërisht e interesuar që t’i marrë individët që i vlerëson të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cilësuar grup terrorist nga BE-ja, ShBA-ja dhe Britania. Ankaraja e synon edhe kapjen e personave të afërt me klerikun në ekzil, Fetullah Gylen. Gylenistët fajësohen nga Turqia për puçin e dështuar kundër Erdoganit më 2016.
Bulent Kenes, gazetar

Me vite, ai ka qenë kryeredaktor i gazetës turke në gjuhën angleze, “Today’s Zaman”, para se gazeta të mbyllej më 2016. Ai tash jeton në ekzil në Stokholm.
Autoritetet turke e akuzojnë se është pjesë e lëvizjes gyleniste ose, siç e quajnë ato, FETO. Kjo organizatë njihet për rrjetin e shkollave dhe nuk cilësohet grup terrorist në BE, Britanik ose ShBA.
Kenet thotë se u vu në shënjestër për shkak të kritikave të hapura ndaj presidentit turk dhe është ballafaquar me akuza për komplot për rrëzim të qeverisë. “Të gjitha akuzat janë të fabrikuara. Unë jam gazetar i pavarur pa asnjë lidhje me asnjë organizatë”, tha ai.
Fatihu, “zjarrvënësi i reformuar”

Personat e tjerë në listën e të kërkuarve nga Turqia janë shumë më pak të njohur. Fatihu, kurd finlandez, ishte pjesë e një grupi prej pesë të rinjsh, që ia kishin vënë flakën derës së ambasadës turke në Finlandë më 2008.
Tashmë pronar i një biznesi dhe ndërmarrësh, ai i tha televizionit “BBC” se është penduar për atë që e ka bërë. “Në atë kohë, jeta ime ishte rrëmujë, kisha shumë lloje të problemeve”, tha ai.
Ai u befasua, kur e pa emrin e vet në listë, sepse ia ka paguar dëmin ambasadës dhe e ka kaluar dënimin 14-mujor me kusht para një kohe të gjatë.
Aysen Furhoff, mësuesja që u arratis

Aysen Furnhoff shkoi në Suedi, pasi kishte qëndruar pesë vjet në burg si pjesë e dënimit me burgim të përjetshëm në Turqi nën akuzën për përpjekje për rrëzimin e rendit kushtetues, kur ishte 17 vjeçe dhe pjesëtare e Partisë Komuniste të Turqisë. Ajo tha se i ishte ofruar mbrojtje në Suedi, pasi ishte torturuar në burg.
Tashmë 45-vjeçare, ajo jeton në Stokholm me bashkëshortin dhe vajzën dhe punon si mësuese. Furnhoff këmbëngul se nuk është më e përfshirë në politikën e Turqisë.
Pengesat për ekstradim
Kushtet ligjore në Suedi dhe Finlandë ia bëjnë shumë të vështirë Turqisë ekstradimin e personave që i kërkon:
-Një gjykatë e pavarur e ka fjalën e fundit për ekstradimin, jo politikanët
- Shtetasit e Finlandës dhe Suedisë nuk mund të ekstradohen
- Shtetasit e huaj mund të ekstradohen, por vetëm në linjë me Konventën Evropiane për Ekstradim
- Ekstradimi nuk lejohet për krime politike ose në shtetet ku të ekstraduarit rrezikohen nga përndjekja
- Krimet e pretenduara duhet të cilësohen krime edhe në Suedi ose Finlandë.
Sipas gazetës suedeze, “Dagens Nyheter”, nga 33 personat që janë përmendur në mediet turke, kërkesa për ekstradimin e 19 prej tyre tashmë është refuzuar nga Gjykata Supreme e Suedisë./Nacionale