“Turqia do ta fitojë kampionatin”
Zëri i historianëve tanë është kurdoherë i padëgjuar. Në kushtet e mungesave të thella të studimeve e artikujve shkencorë, te oxhaku i rrëfimtarisë dalin gjithfarë njerëzish. Nga nevoja për të validuar poenta të caktuara, ata nuk e kanë fort gajle pse mëtimet e tyre nuk mbështeten askund në dokumentacionin historik. Por, orientalistja parisiene, Sylvia Gangloff, solli të parin dhe të vetmin studim që u jep përgjigjje shumë prej pyetjeve tona mbi rolin e vërtetë të shtetit turk në luftën e Kosovës. Ky lexim ngjan provokativ përballë stereotipeve të shumta e simpative turkofile. Vallë a u interesua Turqia për ngjarjet në ish-Jugosllavi? A guxoi ajo të ndiqte një kurs proaktiv si vend i NATO-s? A i përkrahu në vitet ‘90 aspiratat indipendentiste shqiptare? ‘Pak’, ‘pak e hiç’ dhe ‘jo’ rezultojnë përgjigjjet e studiueses franceze për tri pyetjet e mësipërme.
16 korrik 2026 – Puna që nuk është bërë asnjëherë nga historianët vendorë i është lënë në dorë punditëve e spindoktorëve me fare pak përgjegjësi.
Po u dëgjuan këta të fundit, kontributi i Turqisë gjatë luftës së 1999-s nuk ka pasur të sharë.
Secili qëndrim i Ankarasë këqyret si i paqortueshëm, madje, paraqitet aq shqiptarist sa edhe politikanë, ushtarakë e aviatorë nga Turqia na dalin si shqiptarë të fshehur.
Edhe kur botime të atykëtushme nxjerrin fakte të reja mbi hisen e secilit vend anëtar të NATO-s veç e veç – dhe ai i Turqisë del 2 për qind baraz me atë të Belgjikës dhe Kanadasë – avazi diskursiv për Turqinë vazhdon njësoj si më parë.
Por sa kontribuoi me të vërtetë Ankaraja për realitetet e reja?
Le të flasim me shkencë: “Turqia nuk ka bërë ndonjë kontribut domethënës”
“Turqia nuk ka bërë ndonjë kontribut domethënës në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë”, është njëri nga përfundimet qendrore të studimit pothuajse të vetëm që i është kushtuar këtij subjekti.
Njëzet e dy vjet më parë, ligjëruesja dhe turkologia franceze, Sylvie Gangloff, e zhbiroi rolin dhe hisen e shtetit turk në fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë.
I botuar në njërin nga vëllimet e zhurnalit shkencor Bakanologie, ky studim i gjatë rindërton krejt sfondin e qëndrimit të Ankarasë kundrejt Ballkanit paskomunist.
Ndërsa ligjëruesja në Institutin Nacional të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris përfundonte se Turqia nuk luajti farë roli në Kosovë, ajo edhe i shkoqiste shkakësitë e kësaj.
Frika nga një krahasim me gjendjen në Anadollin juglindor, sipas saj, e ka penguar Turqinë që të ushtronte trysni diplomatike, siç kishte bërë për ca kohë në fillim të luftës në Bosnjë.
Për Gangloffin, udhëheqësit turq kishin bërë maksimumin e kujdesit që të mos armiqësoheshin me popullatat e Ballkanit që janë të ndjeshme ndaj cilësdo ndërhyrje turke në rajon.
“Turqia nuk është edhe aq aktor i rëndësishëm në Ballkan, dhe në çdo rast, ndikimi i saj mbetet në hijen e atij të Shteteve të Bashkuara dhe Europës”, vlerësonte ajo në studimin ‘Politika turke karshi konfliktit në Kosovë: përparësia e interesave politikë nacionalë’.
Mbështetje për integritetin territorial jugosllav, vetëm autonomi për Kosovën
Midis përfundimeve kryesore, pasi e ezauron kontekstin historik, është se Turqia “ka mbështetur ruajtjen e integritetit territorial jugosllav dhe ka kërkuar autonomi të zgjeruar për Kosovën me të drejta të plota për të gjitha grupet etnike, përfshirë edhe bashkësinë turke”.
Jo më pak e rëndësishme është edhe një vërejtje e studiueses franceze që sfidon shumë nga perceptimet qartazi të lajthitura në Kosovë.
Prej vitesh, porcione islamiste e kanë lubrifikuar idenë se një Turqi proaktive do të përfuqizonte nënidentitetet fetare.
Ligjërimi ‘islamik’, vinte re Gangloffi, përdorej nga Turqia vetëm kur ishte i moderuar.
Zhgënjyese për elementë islamistë që kishin pritshmëri tjetërfare, Turqia, në të vërtetë, më me vend e gjykonte të ndiqte sekularizmin dhe aspiratën për t’u njohur plotësisht si vend perëndimor.
Një flirt që nisi nga vitet ’70 e përfundoi me biznes me Republikën Srpska
Kompleksiviteti i diplomacisë së kohës, ku secili vendim a veprim i nënshtrohej përllogaritjeve të kujdesshme, ia heq dhéun nën këmbë perceptimit të përhapur se gjoja Turqia ishte e prerë ndaj Jugosllavisë.
Orientalistja franceze vë re se Turqia kishte qenë bukur e kujdesshme që të mos i shkëpuste marrëdhëniet me Republikën Federale të Jugosllavisë.
“Ajo në të vërtetë ka mbajtur marrëdhënie tepër të mira me Jugosllavinë përgjatë tërë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe këto marrëdhënie të qëndrueshme u bënë edhe më të forta në fund të viteve 70-të dhe gjatë viteve 80-të. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shpërthimit të luftërave, drejtuesit turq bënë përpjekje që të mos armiqësoheshin me Serbinë. Fjala bjen, ata pritën katër muaj (gjatë majit të vitit 1992) para se të tërhiqnin ambasadorin e tyre pasi Beogradi kishte vepruar njëjtë (janar 1992) dhe gjatë krejt luftës, kontaktet mbetën në nivel të chargé d’affaires. Pas Marrëveshjes së Dejtonit, drejtuesit turq saora ripërtrinë marrëdhëniet e tyre me ata që më parë i kishin quajtur ‘agresorë serbë’. Në të vërtetë, ata mbështetën gjallërisht politikën serbe pas luftës së Bosnjës. Biznesmenët turq, përfshirë edhe anëtarët e MUSAID, nxituan të investonin në këtë vend dhe shpejt u arritën edhe marrëveshje që rregullonin tregtinë mes dy shteteve”, shkruante Gangloff.
Kur vjen puna te qasja e Ankarasë kundruall Kosovës, sipas studiueses, udhëheqësit e shtetit turk druanin të merrnin një qëndrim proshqiptar.
Për këtë arsye, Turqia ishte shprehimisht në mbrojtje të integritetit territorial të asaj që asokohe ishte Republika Federative e Jugosllavisë.
Krahasimi skandaloz me ‘terrorizmin’
Studimi tutje nxjerr në pah se Turqia nuk ndërmori asnjë nismë të rëndësishme diplomatike, përveçse e dënoi me fjalë rritjen e dhunës dhe represionit tok me thirrjet për bisedime konstruktive.
“Fill pas përshkallëzimit të represionit në Kosovë në mars 1998, ministri i Jashtëm turk shkoi në RFJ (me 8 mars). Gjatë kësaj vizite, ai i përcolli Millosheviqit një letër të Sylejman Demirelit, asokohe president i Republikës së Turqisë, në të cilën thuhej ‘Turqia, gjithashtu, duhet ta luftojë terrorizmin në territorin e saj’. Gjatë këtij takimi, Ismail Cem siguroi për qëllimet e Turqisë për të përkrahur bashkëngjitjen e RFJ- së në organizatat ndërkombëtare dhe një marrëveshje e re e dyanshme u nënshkrua. Më vonë, ai shkoi në Kosovë por anashkaloi takimin me krerët lokalë shqiptarë. Gjatë tërë rrjedhës së vitit 1998, Qeveria e Jilmazit mbeti krejtësisht e shkujdesur ndaj zhvillimeve në Kosovë, veçmas gjatë mësymjeve ushtarake serbe të verës”.
Duke e përshkuar anëepërtej ‘arkivin’ e qëndrimeve zyrtare të shtetit turk, Gangloff vinte re se Ankaranë e hante brenga se lufta e Kosovës do të përlante edhe Maqedoninë, e kështu do të prekej edhe interesi i ‘saj’ nacional.
Nga droja se do të ndodhte shpërbërja e shtetit maqedon, “menjëherë Turqia fuqizoi ndihmën e saj ushtarake për Republikën e Maqedonisë”.
Pjesë e kësaj ndihme, siç u bë e ditur nga bisedimet në qershor të 1998-s, ishte dhënia e 20 aeroplanëve F-5 për ushtrinë maqedonase dhe trajnimi i pilotëve maqedonas në Turqi.
Nga shtypi te politika e madhe
Po kaq i amësht kishte qenë edhe vetë shtypi turk.
Mes editorialistësh, mëvetësia e Kosovës përjashtohej prerazi, madje edhe një e përditshme si Türkiye, e njohur për sertësinë e vet nacionaliste e islamiste, i mbulonte vrasjet e shqiptarëve me ton të ftohtë.
Sipas studiueses franceze, drejtuesit e Turqisë gjatë gjithë kohës iu përmbajtën përkushtimit të tyre për të ruajtur integritetin territorial të RFJ-së, çka përjashtonte pa një pa dy përbrendësimin e ndonjë pozicioni proshqiptar.
Kurdo që bëhet një bilanc i rolit turk në ngjarjet e 1999-s , ajo që bie në sy është ambivalenca politike.
Në shkurt të po atij viti, vetë kryeministri Bilent Ecevit mohoi troç se Turqia do të bëhej pjesë në fushatën e NATO-s.
Kur në mars megjithatë u bë pjesë e ndërmarrjes së madhe të Perëndimit, “Turqia me siguri se donte ta forconte pozitën e saj brenda Aleancës dhe krejt kjo pas mbledhjes së Uashingtonit kur nuk tumiri propozimin frëngo-anglez për të themeluar një Identitet Europian të Mbrojtjes dhe Sigurisë që do ta margjinalizonte atë.”
Lindja e diskursit ‘neo-otoman’
Duket mjaft ironike se turqit deri asohere kishin qenë eufemikë për të mos zemëruar Jugosllavinë.
Por kur ShBA-ja po e shkatërronte vendimtarisht ushtrinë e Millosheviqit, tani midis turqve zuri vend një ligjërim i ri.
Në këtë kohë u bë më i zërueshëm mëtimi për një trashëgimi osmane në Ballkan.
Një përmasë tjetër në këto vite ka të bëjë edhe me turqit me prejardhje shqiptare, të cilët, prapëseprapë, u përpoqën të lëviznin sadopak në mbështetje të bashkëatdhetarëve të tyre.
Disa shoqata, të vetëdijshme për rrënjet e tyre shqiptare, e organizuan një protestë më 8 mars 1998, dhe një tjetër një muaj më vonë, ku u kundërshtua represioni serb në Kosovë.
“Megjithë mobilizimin aktiv të ‘drejtuesve’ të tyre, bashkësia shqiptare nuk mori pjesë në këtë lobim. Këta shqiptarë në fakt janë përgjithësisht të ‘turqizuar’ dhe shumica e tyre nuk flasin më shqip. Fjala bjen, sot nuk ka ndonjë shtyp të veçantë për këtë bashkësi (as në shqip dhe as në turqisht). Ata brengosen për fatin e bashkëatdhetarëve të tyre në Kosovë dhe kanë lidhje me shqiptarët; megjithatë kjo nuk do të thotë se ata janë të gatshëm të marrin përsipër ndonjë angazhim të veçantë personal, politik apo financiar për Kosovën. Sipas fjalëve të njërit prej drejtuesve të grupeve shqiptare më me ndikim ‘Asociacioni Turko-Shqiptar’ (Türk-Arnavut Dernegi), mobilizimi i popullatës turke me prejardhje shqiptare ka qenë zhgënjyes. Pjesëmarrja në dy protestat e organizuara gjatë pranverës së vitit 1998 ka qenë mjaft e ultë dhe kur nisi fushata e ‘spastrimit etnik’ në mars të vitit 1999, paratë e mbledhura për qëllime humanitare nga shoqatat shqiptare ishin mjaft të pakta. Shqiptarët e Turqisë natyrisht se nuk iu bashkuan UÇK-së”, shkruante Gangloff. /Nacionale/