Türkiye Today: Bllokada po e lë Kosovën pa miliona euro të Brukselit - NACIONALE

Türkiye Today: Bllokada po e lë Kosovën pa miliona euro të Brukselit

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

30 korrik 2025 – Bllokada politike në Kosovë është duke u thelluar mes pakënaqësive në rritje.

Me këtë vlerësime, mediumi turk Türkiye Today ka pasqyruar gjendjen e tanishme në Kosovë ku ligjvënësit kanë dështuar për së paku 52 herë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“Më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova mbetet pa legjislaturë apo qeveri funksionale”, shkruan artikulli.

Sipas këtij mediumi, VV-ja siguroi 48 nga 120 ulëse, dhe anipse është partia më e madhe ajo nuk i ka 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryekuvendarin apo për të formuar kabinetin e ri.

“E nominuara e saj, Albulena Haxhiu, vazhdimisht e ka huqur pragun – madje edhe me mbështetjen e disa prej deputetëve nga pakicat, ajo ka marrë vetëm 52 vota në një seancë”.

Partitë opozitare, sipas artikullit, nuk kanë propozuar një kandidat alternativ, duke hedhur poshtë votimin e fshehtë të propozuar nga VV-ja.

Mediumi turk i ka kushtuar vëmendje edhe protestave simbolike të avokatit Arianit Koci – nga shfaqja e katër gomarëve e deri te rruarja e flokëve.

“Derisa kriza politike në Kosovë po hyn në muajin e katërt, shoqëria civile nuk është më duke bërë bërë sehir nga anash – ajo po marshon, po brohoret, e madje edhe po inskenon ndërhyrje teatrale”.

Sipas Türkiye Today, BE dhe partnerët perëndimorë kanë nënvizuar se institucionet funksionale janë thelbësore për të vazhduar mbështetjen e tyre e për t’i avancuar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Edhepse sanksionet e vendosura më 2023 kanë nisur të heqen shkallë-shkallë, zyrtarët evropianë – përfshirë kryesuesen e Politikës së Jashtme Kaja Kallas – tërheqin vërejtjen se stabiliteti institucional është pararakusht për të zhbllokuar 6 miliardë euro nga fondet e Planit të Rritjes. Krerët e opozitës theksojnë se bllokada e dobëson pozitën negociuese të Kosovës”, përfundon artikulli i Türkiye Today. /Nacionale/


Lajme të ngjashme