Tubohen serbët në veri: Rakiq dhe Simiq në Zveçan flasin me KFOR-in
Edhe sot janë tubuar serbët në tri komunat veriore të vendit. Në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë mbledhur serbët lokal për të kundërshtuar kryretarë e rinj të komunave. Forcat të shumta të Policisë së Kosovës janë parë afër objekteve komunale teksa është vrejtur edhe prania e KFOR-it.
Përfaqësues të Listës Serbe, janë bashkuar në turmat që po qëndrojnë para objektit komunal të komunës së Zveçanit.
Goran Rakiq bashkë me Igor Simiq sipas fotografive që ka dërguar gazetari i Nacionales, janë parë bashkë më serbë të tjerë para objektit të komunës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është parë teksa ka biseduar me pjesëtar të KFOR-it.
Sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë, Rakiq ka kërkuar që kryetari i ri i Zveçanit të mos hyjë në komunë duke thënë se kjo është kërkesë e serbëve.
Më tej, ai ka kërkuar nga KFOR-i që të largojë Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për tubimin e serbëve para objekteve të komunave në veri të vendit.
Sipas policisë, protestuesit para objektit të komunës së Zveçanit kanë tentuar të kalojnë kordonë e policisë për t’u futur me dhunë në objekt dhe për këtë policia është detyruar të përdor sprej për të parandaluar.
“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontrollë.” – thuhet në njoftim.
Ndërkohë, kryetarët e sapozgjedhur në komunat veriore të Kosovës pritet të mbajnë takim sot me ambasadorin e Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Zveçanit për Gazetën Nacionale, Ilir Peci, ku ka treguar se takimi do të mbahet në Prishtinë duke filluar nga ora 09:00.
Ai tutje ka thënë se ka kërkuar agjendën e takimit dhe arsyeje se pse janë thirrur, mirëpo përgjigja e vetme që ka marrë ka qenë “kur të vini këtu do të bisedojmë”.
“Po na kanë ftuar në takim, ne do të marrim pjesë në takim nesër nga ora 09:00. Nuk na kanë dhënë detaje pse na kanë thirr, megjithatë kërkova pikat e rendit të takimit, por than që kur të vini këtu do të bisedojmë, kaq. Informacion është se kemi takimi, ndërsa për çka nuk e dimë.” – ka thënë Peci.
Kujtojmë se Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët sot duke shprehur shqetësimet e tyre dhe duke ripërsëritur deklaratën e para dy ditëve për të dënuar ashpër hyrjen me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

