Tri ditë deri në ndalim të dinarit, Hovenier-i në BQK "i shqetësuar" për kohën "jo të bollshme" të kalimit vetëm në euro për serbët
S’kanë mbetur as tri ditë të plota që kur valuta serbe (dinari) supozohet të ndalohet në komunat të banuara me shumicë serbe – përkatësisht në veri.
Kjo pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës – të mbështetur nga Qeveria e Kosovës – që duke nisur nga 1 shkurti transaksionet/pagesat në dinarë të jenë gjë e së shkuarës.
Kjo ngase – siç e bazojnë ata – prej Planit të Ahtisaarit e deri në ingranimin e saj në Kushtetutë të Kosovës (Neni 11) Kosova ka “vetëm një valutë”: Euro-n.
Askush, as nga BQK as nga Qeveria e Kosovës, s’ka qartësuar e as shpjeguar se si do të zbatohet kjo; e madje as a është e zbatueshme kjo në kushte normale.
Në pyetjet themelore që ngriten ka ky vendim – s’është përgjigjur askush, veçse kështu është vendosur: kushtetuetshmëria dhe sovraniteti monetar “e kërkon kështu”.
Hiç më larg se sot – pas thirrjes së përbashkët dje të QUINT-it – ambasdori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, zbarkoi në zyrën e Guvernatorit të BQK-së për t’i kërkuar shtyrjen, pas dështimit në bindjen e qeverisë kosovare për pezullim deri në një kohë më të përshtatshme të vendimit.
Hovenier njoftoi për “takim produktiv” me guvernatorin Ahmet Ismaili – të cilit i shprehu “shqetësimin” rreth zbatimit të vendimit, për çka kërkoi “shtyrje...për të lejuar kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”.
Today I had a productive meeting with the Governor of the Central Bank of Kosovo, Ahmet Ismaili. I reiterated U.S. concerns about the implementation of the amended regulation on cash operations. We urge that enforcement be postponed to allow ample time for effective transition… pic.twitter.com/MuVgxoxzC3
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) January 29, 2024
Departamenti amerikan i Shtetit ditë më parë pati një thirrje me ngjyrime jo pak të vrazhda ndaj qeverisë kosovare ku bënë thirrje për “rishikim të këtij vendimi”,
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t'i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për The Pavlovic Today.
Shtetet më të fuqishme perëndimore – pas dështimit të bindjes së qeverisë kosovare para tre ditësh – dje lëshuan një komunikatë jo me pak tone “brengosëse” rreth vendimit të shpejtë dhe të pashpjeguar të BQK-së.
Qeveria e Kosovës është shprehur e prerë në atë – ballë QUINT-it – se “ka rëndësi respektimi i kushtetuetshmërisë dhe ligjshmërisë në vend” si dhe “respektimin e autoriteteve të pavarura si BQK”; kësisoji duke ia artikuluar një “Jo” jo pak të vogël ambasadorëve.
“Bloomberg” raportoi se Christiane Hoffman, zëdhënëse e Qeverisë së Gjermanisë ka bërë “thirrje të fuqishme” që të shtyhet ky vendim” derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme” – citohet të ketë thënë ajo.
QUINT-i dje lëshoi një komunikatë po ashtu në thirrje të “pezullimit” deri në kohë të përshatshme të vendimit duke thënë se “rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës...ngre shqetësime në lidhje me ndikimin tek serbët, në veçanti komunitetet shumicë”.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, thanë dje nga QUINT-i.
“Pas një bisede për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, përfundon komunikata.