Tregimet e bukura ekonomike të Kurtit (vs.) shëmtia që fsheh: Gozhdohen rëndë dy pretendimet e fundit të tij - NACIONALE

Tregimet e bukura ekonomike të Kurtit (vs.) shëmtia që fsheh: Gozhdohen rëndë dy pretendimet e fundit të tij

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Ekonomiaorigjinalisht: paret e shtëpisë—u bë temë, pas shuarjes së temës së madhe të hapjes së Urës së Ibrit; perdet e të cilit teatër u mbyllën pas vizitës së Shefit të CIA-s, William Burns.

Njëherë u njoftua për mostatim të të hyrave të pagës minimale prej 250 euro që po ngritej—për çka përkthehej ngritje page e përgjitshme: 6 euro e 80 cent—kur, pa çelur mirë mëngjesi paga minimale u ndërrua aty-për-aty për 350 euro. Kjo, supozohet, të hyjë në fuqi që nga muaji tetor.

Sektori privat as s’u njoftua, as s’u konsultua, as s’u bashkërendua për këtë ndryshim të dyfishtë brenda natës, për çka ekonomistë si Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës, thanë se janë ekspozuar para një pasigurie juridike dhe një mjegulle e të mos qënit në dijeni se çfarë po ndodh.

Pushteti nisi projektimet ekstravagante – në refrenin e pretendimeve për rritje madhore ekonomike dhe “lulzim të vendeve të punës”; shifra këto, sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti (tash mbajeni frymën): 87 mijë vende të reja pune për katër viteve.

Berat Rukiqi—ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tash anëtar i Kryesisë së LDK-së—doli përvoli mëngët në përllogaritjet më të thjeshta për të përkthyer domethënien, përkatësisht, sipas tij, mosdomethënien e ngritjes së pagës minimale karshi gjendjes së rënduar ekonomike; dhe se sa u përgjigjet nevojave të jetesës ajo pagë “e rritur”.

Buka, shqeri, qumështi – krahasimet 2021/24

Ne vijim eshte nje ilustrim i thjeshte dhe nje tabele, qe tregon se sa kemi mundur te blejme, nga produktet esenciale, me nje page minimale, ne fillim te mandatit te kesaj qeverie dhe cka mund te blejme sot me pagen minimale te ‘rritur’”.

Këto te dhëna janë treguesi me i saktë, për efektin real të vendimeve te Qeverisë në raport me pagën minimale, të cilat po kthehen në vendime pa efekt për mirëqenien e qytetarëve, pasi që jane të vonshme dhe behen shkel e shko, puro për perfitime elektorale të partisë në pushtet”.

Tregimit të ‘bukur’ ekonomik të qeverisë ia nxori ‘shëmtitë’ edhe Avdullah Hoti. Prej inflacionit, që sipas Hotit “i ka ulur pagat reale në 1/3”, prej energjisë elektrike të rritur qindpërqind, e deri mosinvestimet kapitale – për Hotin, janë çështja.

Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, shkroi Hoti.

Zhvillimi ekonomik ka ngecur në mungesë të investimeve të mëdha publike, si rrugët rajonale, termocentrali me gaz e hekurudhat. Rreth 1 miliard euro nga totali i mjeteve të planifikuara në investime kapitale nuk janë shpenzuar. Investimet e komunave, sado që janë të vogla, janë penguar përmes vonesave në alokimin e mjeteve nga Qeveria”, shkroi ai

Në këtë rrahje-shpatash për ekonomi u kyç edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili pyeti në gjuhë tonike se “ku po jetojnë këta njerëz?”

Tahiri shtjelloi dy pretendimet e qeverisë: rritjen e pagës minimale dhe rritja e punësimit me 20%.

Paga minimale prej 350 euro është e pamjaftueshme dhe jashtë realitetit të tregut. Pse? Sepse në sektorin privat, konkurrimi për pozita me këtë pagë minimale është pothuajse zero. Kompanitë e dinë mirë se një shumë e tillë nuk tërheq më punëtorë, duke qenë se kostot e jetesës janë rritur në mënyrë drastike. Kjo tregon qartë se përcaktimi i kësaj vlere është më shumë për konsum elektoral dhe mediatik, se sa që ka efekt real e konkret”, shkroi ai.

Rritja e punësimit me 20% po tingëllon bukur në letër, por në realitet është i shkëputur nga e vërteta. Kur flitet për rritje të punësimit, duhet të analizojmë se çfarë pune është krijuar dhe kush po i merr këto vende pune. A është kjo një rritje reale e mirëqenies apo vetëm një lojë statistikore?”

Realiteti i hidhur është se kjo 20% rritje nuk është punësim, por ikje nga Kosova, emigrim. Rinia po e lëshon Kosovën, sepse vendi nuk po ofron mundësi të mjaftueshme për ta. Ata që duhet të jenë pjesë e statistikave të punësimit në Kosovë, po punojnë në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera të Evropës, duke kontribuar në ekonomitë e tyre, e jo të Kosovës”, shkroi mes tjerash Tahiri.

Lajme të ngjashme