Top-zyrtari amerikan: S’do të lejojmë dhunë në veri të Kosovës, palët t’i kthehen dialogut
James O’brien, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, ka mbajtur një bashkëbisedim në mënyrë virtuale me gazetarë. Në këtë bashkëbisedim, O’brien ka dhënë disa mesazhe të qarta. Çfarë tha O’brien?
I pari mesazh i O’brien kishte të bënte me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Duke folur për procesin dialogues në Bruksel, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, O’brien deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen me përgjegjësi dialogut.
Ai ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave.
“Së pari, raportet Kosovë – Serbi, fuqimisht mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga emisari Miroslav Lajçak. I ftojmë të dyja palët që t’i kthehen me përgjegjësi dialogut. Përshëndesim arritjet që janë tërësisht teknike, si çështja e targave. Por, këto hapa tregojnë se mund të ecet përpara. Kosova e Serbia duhet t’i shmangin aktet provokative në veri. Jemi të kënaqur me bashkëpunimin e Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it. Deri tash ka qenë shumë i mirë. Po ashtu komunikimi me Beogradin në funksion të sigurisë, ne presim të vazhdojmë të ketë negociata transparente e të hapura muajt e ardhshëm”, tha O’Brien.
Mesazhi i dytë i O’brien ishte në lidhje me sigurinë në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas O’brien, komunikimi me Beogradin, ka lejuar një “lloj qetësimi të situatës”. Tutje, O’brien ishte e vendosur kur foli për mospërsëritjen e sulmeve të armatosur si ai në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.
Zyrtari amerikan deklaroi se të dyjat palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë sërisht një Banjskë. Madje, O’brien vlerësoi se askush nuk dëshiron që Banjska të përsëritet.
"Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet”, tha ai.
Kush është O'brien?
Sjellim ndërmend që vitin e kaluar, O’brien u betua si asistent i sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ndërsa deri para këtij betimi, diplomati i njohur amerikan ka mbajtur pozitën si shef i Zyrës për Bashkërendim të Sanskioneve.
O’Brien është një figurë e njohur politike. Madje, gjatë periudhës 1989-2001, ai ka shërbyer si këshilltar i lartë i ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Po ashtu, i njëjti ka pasur rol edhe në menaxhimin e Marrëveshjes së Dejtonit për arritjen e paqes në Bosnjë e Hercegovinë. O’Brien pra, ka përvojë në Ballkan, madje, për një periudhë ka mbajtur madje edhe pozitën si emisar i posaçëm për rajon.
O’Brien ka udhëhequr një program të madh e të suksesshëm sanksionesh dhe ka këshilluar për një varg çështjes, përfshirë bisedimet e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore e mjedisore, tranzicionet pas-sovjetike të Rusisë dhe Ukrainës si dhe nismat për të hetuar e ndjekur penalisht persona përgjegjës për krime lufte, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Nga gushti i vitit 2015 deri në janarin e vitit 2017, O’Brien shërbeu si emisari i parë i posaçëm për çështje të pengjeve në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Në tetorin e vitit 2021, O’Brien u nominua për të shërbyer si drejtor i Zyrës për Bashkërendimin e Sanksioneve në administratën e presidentit Biden, pozitë me rangun e ambasadorit. Më 6 prill 2022, nominimi i tij u konfirmua nga Senati i ShBA-së me 71 vota për e 26 kundër.