Tetë orë bisedime Kurti - Vuçiq për shtyrje 48-orëshe për targat me kërkesë të Amerikës
Qeveria e Kosovës, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marrë vendim që ta shtyjë për 48 orë vendimin për gjobitjen e qytetarëve që kanë targa ilegale në vetura. Para kësaj, kryeministri Albin Kurti për tetë orë mbajti takim me presidentin e Serbisë, me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, në Bruksel, por nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Çka ndodhi të hënën?
Të hënën e 21 nëntorit, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, takoi fillimisht ndaras kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq, në Bruksel. Pas këtyre takimve, filloi takimi 8-orësh Kurti - Vuçiq - Borrell.
Pas takimit, deklaratat e palëve ishin me ton të tensionuar, pasi as pas tetë orëve nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i akuzoi të dyja palët e në veçanti Kosovën për atë që ndodhi.
Njëra prej deklaratave të tij më të ashpra dhe më alarmantet, ishte kur tha se Vuçiqi e ka pranuar propozimin e tij, por jo edhe Kurti.
“Përgjegjësia për eskalimet dhe çfarëdo që ndodh në terren, do të jetë e madhe” – tha mes tjerash Borrelli.
“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)”- tha Borelli.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti, tha se Bashkimi Evropian ka hequr dorë nga normalizimin i marrëdhënive mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme, pra dakordimin që më me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizimi të plotë të marrëdhënieve” – tha fillimisht kryeministri i vendit.
“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati mars 2023. Pra që ne po vijmë këtu në Bruksel, për t'u marrë vesh drejt një ecjeje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje mund të them që përfaqësuesi i lartë, Borrell, hoqi dorë nga ky afati, marsi 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve” – vazhdoi më tej.
Ai e akuzoi Borrellin - përfaqësues i Bashkimit Evropian - se ka hequr dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian që ishte quajtur më parë propozim franko-gjerman.
"Kur u takuam në Paris, Borrelli tha se propozimi është i BE-së, por i mbështetur nga Franca e Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Jam i gatshëm të vij këtu gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë, marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që e ka njohjen në qendër dhe temat aktuale të natyrave edhe si puna e targave. Por nuk bën njëra pa tjetrën. Nuk bën të shndërrohemi në liderë shtetërorë që merren me targa e nuk diskutojnë për normalizim të marrëdhnieve" - tha Kurti.
Për mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë reaguan shtete të ndryshe. Nga Departameti amerikan i Shtetit u tha se Amerika është e zhgënjyer që Kosova dhe Serbia nuk gjetën zgjidhje për situatën në veri.
Në mënyrë të ngjashme reagoi edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë.
Përveç ndërkombëtarëve, Qeveria Kurti u kritikua edhe nga opozitarët në vend.
Shtyrjet e vendimit për targat
Brenda një dite, Qeveria Kurti e shtyu dy herë vendimin për gjobitje për targat ilegale.
Vendimi do të duhej të fillonte më 21 tetor, por ky vendim fillimisht u shty për 22 tetor, pastaj, u tha se gjobitjet do të fillojnë në orën tetë të mëngjesit së 22 tetorit derisa Qeveria Kurti, pas kërkesës së Amerikës, e shtyu për 48 orë të tjera vendimin për targat.
Kurti në Twitter konfirmoi se e ka pranuar kërkësen e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, për shtyrje të vendimit për fazën e gjobitjes.
"E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin. E pranoj kërkesën e tij që vendimi të shtyhet për 48 orë të tjera për fazën e gjobitjes së targave ilegale. I lumtur të punoj me ShBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dy ditëve të ardhshme"- ka shkruar Kurti në orët e para të së martës.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas 48 orëve të ardhshme.




