"Tentativa me kapë çdo gjë", LDK paralajmëron dërgimin e Projektligjit për Fondin Sovran në Kushtetuese - NACIONALE

"Tentativa me kapë çdo gjë", LDK paralajmëron dërgimin e Projektligjit për Fondin Sovran në Kushtetuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur shqetësimin e saj për Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, i cili është nën konsultim publik. Bajrami ka akuzuar qeverinë e LVV-së se po shkel ligjet dhe Kushtetutën e vendit në tentativën e tyre për të “kapur çdo gjë”. Ajo paralajmëroi se nëse ky Projektligj do të bëhet me këto karakteristika antikushtetuese, ai do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Fondi Sovran ishte ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit. Kur kanë kaluar dy vite që nga premtimi, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministrit, Albin Kurti, ka bërë disa hapa në realizimin e këtij premtimi. Projektligji ka kaluar konsultimet publike dhe pritet që të miratohet shumë shpejt.

Kritike e ashpër ndaj Projekligjit është shfaqur deputetja Bajrami e cila tha se kjo iniciativë është antikushtetuese dhe do të duhet të ndalohet. Ajo argumentoi se Fondi Sovran do të mund të tenderojë direkt me dosta dhe negocim të drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë për tenderime publike, dhe do të mund të anashkalonte të gjitha ligjet në fuqi, duke mos qenë i detyruar të plotësonte kërkesat e ligjit të prokurimit, kontabilitetit dhe raportimit financiar, si dhe ligjit të punës.

Bajrami theksoi nëvojën që Projektligji për Fondin Sovran të përfshijë të gjitha nevojat dhe kërkesat ligjore që janë të nevojshme për të siguruar transparencën dhe integritetin e Fondit.

"Që të mos ju lodhë me detajet shihni veç çka thotë Neni 65, pika 1 dhe 2 e Projektligjit për Fondin Sovran: Neni 65 Zbatimi i ligjit ''1. Ky ligj mbizotëron ndaj legjislacionit për shoqëritë tregtare, ndërmarrjet publike, Trepçën, Agjencinë e Privatizimit, administrimin e pronës publike, prokurimin publik, si dhe kontabilitetin dhe raportimin financiar. 2. Legjislacioni i punës nuk zbatohet lidhur me përzgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të organeve dhe zyrtarëve të Fondit dhe të ndërmarrjeve.'' D.m.th. ky Fondi ka me e “zhvillu vendin” duke anashkalu krejt ligjet në fuqi. Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emrohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit - tenderat direkt me dosta/negociim i drejtëpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim finaciar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qënë i pëlqyshëm për pushtetin dhe mjafton." - ka shkruar Bajrami.

Bajrami më tej paralajmëroi se nëse ky Projektligj do të bëhet me këto karakteristika antikushtetuese, ai do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, si shumë ligje të tjera, dhe se nuk duhet të lejohet një gjë e tillë të ndodhë në Kosovë.

Ajo iu bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të punojë për të siguruar një Fond Sovran që do të ishte i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve të vendit.

"E ja ku po them publikisht, që gjëra të tilla nuk do të lejohen. Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues." - ka thënë ajo.

Fondi Sovran

Një premtim tjetër i qeverisë Kurti për zhvillimin ekonomik ishte edhe Fondi Sovran. Qeveria ka lëvizur në raport me Fondin Sovran, ku aktualisht Projektligji për Fondin Sovran është në konsultim publik.

Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit.” – thuhet në plan-program.

Kryeministri Kurti beson se ky fond do të ndihmojë në diversifikimin e ekonomisë. Ai po ashtu ka thënë se Fondi Sovran do të fuqizojë rritjen ekonomike duke integruar ndërmarrjet publike në fond.

“Tani kur Projektligji ka kaluar konsultimet publike, tanimë jemi një hap më afër për miratimin e tij. Një nismë e tillë do të rezultojë me një stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijimin e profitit të shtetit përmes investimeve të mençura dhe me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë.” – citohet të ketë thënë Kurti.

“Ndërmarrje tona publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit me qëllim të rritjes së investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike kemi punuar në fuqizimin e rritjes ekonomike.” – ka thënë ai.

Fondi Sovran pritet t’i barten ndërmarrjet publike, si KEK-u, Trepça, Posta, Trainkos dhe Infrakos.

Pas krijimit të Fondit Sovran është paraparë shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimi. Aktualisht kjo Agjenicë vazhdon të jetë funksionale dhe vazhdon shitjen e asteve të ndërrmarrjeve publike të ndrysheme.

Sipas projektligjit, Fondi Sovran do të ketë një buxhet prej 20 milionë eurove.

Lajme të ngjashme