"Zmbrapsen pushtetarët": Kurti dhe Osmani 'i hapin rrugën' zgjedhjeve të reja - NACIONALE

"Zmbrapsen pushtetarët": Kurti dhe Osmani 'i hapin rrugën' zgjedhjeve të reja

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Derisa Kosovës i është kërkuar që të mbajë zgjedhje të reja në veri të vendit për të de-përshkallëzuar tensionet me Serbinë, pas ndërhyrjes së Olaf Scholz dhe Emmanuel Macront, grupe qytetarësh serbë u mblodhën sërish të premten para ndërtesat e komunave veriore të Kosovës, të cilat po ruhen nga ushtarët e KFOR-it. Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur optimizëm për zgjidhjen e situatës dhe ka deklaruar se zgjidhja për qetësimin e situatës në pjesën veriore “është afër”. Shenja të tërheqjes dha edhe kryeministri Kurti, i cili pas telefonatës me senatorët amerikanë përmendi zgjedhjet e reja në ato komuna.

Dërgimi i kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale javën e kaluar nxiti reagimin e qyetarëve serbë. Protestuesit u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s duke lënë 30 ushtarë të plagosur e dhjetëra gazetarë e policë të lënduar.

Në këtë kontekst, Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti Macron, kanë bërë thirrje të forta për zgjedhje në komunat me shumicë serbe.Macron ka thënë se "Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur."

Ai gjithashtu ka vënë theksin në nevojën për të përcaktuar rregulla të qarta për zgjedhjet. “Kemi kërkuar nga të dy partitë që sa më shpejt të organizojnë zgjedhje të reja në këto katër komuna, me një angazhim nga Kosova me pjesëmarrje në këto zgjedhje në mënyrë të qartë nga ana e palës serbe”, - tha ai.

Ndërsa shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i cili mori pjesë në një takim të përbashkët me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Moldavi, tha se BE ka tre kërkesa të qarta për de-eskalimin e situatës në veri.

“Zgjedhje të reja tani, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillojë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, - shkroi Borrell gjatë ditës së djeshme.

“De-përshkallëzimin është afër”

Presidentja Osmani tha se “Kosova është gati për të mbajtur zgjedhje të reja në veri nëse zhvillohen përmes procesit ligjor”.

Osmani tha se u kishte thënë liderëve evropianë se kjo do të ishte e mundur sipas ligjit të Kosovës nëse udhëheqja serbe në Beograd nuk i inkurajonte serbët që të bojkotojnë zgjedhjet.

Në një konferencë për media ka thënë se një zgjidhje për de-përshkallëzimin e situatës është afër.

Osmani e cila duket se në njëfarë mënyre “e ka marrë në duar” situatën, ka paralajmëruar se zgjidhja për de-përshkallëzim është afër.

“Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve të ditëve të fundit, unë jam duke punuar shumë gjerësisht me partnerët tanë amerikanë, si dhe me partnerët nga BE-ja, dhe të gjithë jemi të të njëjtit mendim se një rrugë përpara, një zgjidhje për de-përshkallëzimin është shumë afër, por ne duhet të sigurohemi që fokusi të jetë në zbatimin e plotë të marrëveshjes, jo vetëm në një pjesë të saj”- ka thënë Osmani.

Kurti përmend zgjdhjet e reja

Në kontekst të tensioneve në veri, kryeminsitri Kurti, ka theksuar se është i angazhuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zvogëluar tensionet në veri të Kosovës pas telefonatave me me zëvendës-këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, si dhe me senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka përmendur se është e nevojshme një ndërprerje e menjëhershme e dhunës nga grupet e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në këto komuna.

“Ulja e tensioneve kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, thuhet në njërin prej postimeve të tij.

Kërkesën për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës e paraqitën më herët Gjermania e Franca, e thirrjes së tyre iu bashkua edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Borell shpjegoi se përveç kësaj, duhet të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajme të ngjashme