Tensione në Gaza pas vrasjes së nëntë palestinezëve, hidhen raketa e kryhen sulme ajrore
Militantët e Gazës hodhën raketa, ndërsa Izraeli kreu sulme ajrore të premten herët, përderisa tensionet u rritën pas bastisjes izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, në të cilën u vranë nëntë palestinezë, përfshirë të paktën shtatë militantë e një grua 61-vjeçare.
Kjo ishte bastisja më vdekjeprurëse në Gaza në më shumë se 20 vjet. Shtimi i dhunës paraqet një testim të hershëm për qeverinë e të djathtës ekstreme të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe i hedh hije vizitës së pritur në rajon të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, javën e ardhshme, raporton agjencia “Associated Press”.
Nga pesë raketat e hedhura drejt Izraelit, tri u penguan, një ra në një zonë të hapur dhe një tjetër përfundoi në Gaza, tha ushtria izraelite, duke shtuar se caqe të sulmeve ajrore ishin një vend nëntokësor për prodhimin e raketave për Hamasin si dhe zonat për trajnimin e militantëve.
Hedhja e raketave i aktivizoi sirenat e alarmit në pjesën jugore të Izraelit, por nuk pati raportime për pasoja në njerëz në asnjërën anë të kufirit.
Edhe raketat palestineze, edhe sulmet ajrore izraelite u dukën të kufizuara në atë mënyrë që të parandalohej eskalimi në luftë të plotë.
Bastisja vdekjeprurëse e së enjtes në kampin e refugjatëve në Jenin me gjasë do të bëjë jehonë edhe të premten, kur palestinezët mblidhen për lutje, pas të cilave shpesh mbahen protesta. Hamasi më parë kërcënoi se do të hakmerret për bastisjen.
Autoriteti Palestinez tha se do t’i ndërpresë lidhjet që forcat e sigurisë së tij i kanë me Izraelin në përpjekje për t’i kënaqur militantët islamikë. Kërcënimet e mëparshme kanë qenë jetëshkurtra, pjesërisht për shkak të përfitimeve që Autoriteti Palestinez i ka nga marrëdhënia me Izraelin dhe, gjithashtu, për shkak të presionit nga ShBA-ja e Izraeli për ta mbajtur atë.
Të enjten, forcat izraelite u vendosën në gjendje të lartë gatishmërie, pasi palestinezët i mbushën rrugët në mbarë Bregun Perënimor, duke brohoritur për t’u solidarizuar me Jeninin. Presidenti Mahmboud Abbas shpalli tri ditë zie, ndërsa në kampin e refugjatëve, banorët hapën një varr masiv për të vdekurit.

