Raportohet se Izraeli ka vrarë nëntë persona gjatë përleshjeve në Jenin
Trupat izraelite vranë nëntë palestinezë, përfshirë një grua të moshuar, dhe plagosën 12 të tjerë gjatë përleshjeve me disa persona të armatosur të enjten në një qytezë të tensionuar në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë mjekët dhe dëshmitarët.
Ushtria izraelite konfirmoi se një operacion ishte duke u zhvilluar në Jenin, por nuk ofroi menjëherë hollësi të mëtejme, raporton agjencia “Reuters”.
Grupet e armatosura palestineze, Hamas dhe Xhihadi Islamik, thanë se anëtarët e tyre ishin duke luftuar me trupat që janë futur në kampin e refugjatëve në Jenin, bastion i militantëve ku bastisje të tilla të thella janë të rralla.
Në hyrjen e rrugicave të ngushta të kampit, të rinjtë lokalë hodhën gurë në drejtim të automjeteve ushtarake. U dëgjuan të shtëna e shpërthime, pasi militantët hodhën bomba të improvizuara.
Jenini është zonë në pjesën veriore të Bregut Perëndimor ku Izraeli i ka shpeshtuar bastisjet në vitin e kaluar, pasi burrat lokalë kryen sulme në rrugë në disa qytete izraelite. Dhuna i ka turbulluar edhe më shumë bisedimet e ngecura për shtetësinë palestineze, të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se në mesin e nëntë të vrarëve janë një grua e moshuar dhe tetë burra. Nuk pati menjëherë hollësi të mëtejme për identitetin e tyre.
Një zyrtar i Xhihadit Islamit i tha agjencisë “Reuters” se ky grup i ka kontaktuar ndërmjetësuesit e armëpushimeve të kaluara me Izraelin për të paralajmëruar se dhuna në Jenin mund të krijojë eskalim në zona të tjera.
