'Të vjetrit' kishin qarë, 'të rinjtë' linçohen: Çka duhet të dimë për 45 policët serbë në veri?
74 policë të rinj do të kontribuojnë për sigurinë në veri të Kosovës. Të gjithë i përkasin komuniteteve joshumicë të vendit tonë. Dhe 45 prej tyre i përkasin komunitetit serb. A po mbushet vakuumi i krijuar më 5 nëntor të vitit të kaluar?
Policia e Kosovës kishte hapur disa herë konkurs për të mbushur radhët e veta pas dorëheqjeve masive të policëve në 5 nëntorin e tmerrshëm të vitit të kaluar. Numri i serbëve që aplikonin në to ishte i vogël. Por tash del se 45 sosh megjithatë janë futur nën ombrellën e shtetit të Kosovës.
Nacionale pyeti Policinë e Kosovës për saktësinë e këtyre numrave por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë një përgjigje.
500 e kusur
Numri i policëve serbë që kishin dhënë dorëheqje më 5 nëntor ishte i madh. Mbi 500.
Sipas ministrit Xhelal Sveçla numri i zyrtarëve policorë ishte 578, ndërsa sipas kryeministrit Albin Kurti ishte 547.
Policët serbë në veri ishin të rëndësishëm në mënyrë që t’i përgjigjeshin strukturës entike të vendit. Por, përtej etnicitetit duheshin policë në atë pjesë për të ofruar siguri.
Ministri i Punëve të Brendshme në atë kohë madje edhe akuzonte disa prej pjesëtarëve të Policisë që kishin dhënë dorëheqje se ishin pjesë e sulmeve në veri të vendit. Por, për disa të tjerë kishte pasur fjalë paksa më pozitive.
Ai ishte shprehur se disa policë serbë madje edhe kishin qarë kur i kishin dorëzuar uniformat.
“Ka pasë të tillë që kanë qajtë kur i kanë dorëzu uniformat. Ka pasë të tillë që nuk kanë dashtë me e lënë policinë e Kosovës. Por për shkak të shantazheve e presioneve kanë bërë këtë,” – ishte shprehur Sveçla gjatë një konference për medie.
Të rinjtë
Policët e rinj serbë që do t’i shërbejnë shtetit të Kosovës nuk janë shumë. Por, megjithatë ata menjëherë janë linçuar e kërcënuar nga disa faqe serbe.
Në këto linçime madje edhe janë publikuar emrat e mbiemrat dhe fotografitë
Nacionale ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për numrin e saktë por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë një përgjigje.
“Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Policia e Kosovës,” – thoshte postimi në fjalë.
Nacionale ka pyetur Policinë e Kosovës edhe nëse ishte në dijeni për këto linçime online por deri tash po ashtu nuk ka marrë përgjigje.
Njësia speciale
Kosova dhe BE-ja e arritën një marrëveshje në Bratisllavë më 10 korrik për hapat e parë drejt shtensionimit e ku parashihej edhe tërheqja e njësive speciale për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale në veri.
Aty parashihej edhe që çdo dy javë të bëheshin vlerësime nga Policia e Kosovës, KFOR-i e Eulexi për situatën e sigurisë që të shikohej edhe mundësia për tërheqje të mëtejshme.

