Të vazhdohet greva, të ulen pagat e Qeverisë: Fjalët e Kurtit në vitin 2019 që duhet t’i lexojë secili
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po tregohet mjaft i ashpër ndaj sindikalistëve të arsimit dhe mësimdhënësve, por nuk ishte gjithnjë i tillë. Veçanërisht një status i tij rezonon mbi përplasjet aktuale tash që jemi në javën e tretë të Grevës së Përgjithshme. Çka thoshte Kurti?
Kurti e titullonte shkrimin e tij të 22 janarit 2019 “Pabarazia vs. Varfëria?” për të shpjeguar tragjicitetin e situatës së përplasjeve të asokohshme, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj. Edhe në atë kohë nuk po mbahej procesi i rregullt mësimor në një grevë që do të zgjaste rreth tri javë.
“Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta.” – shkruante z. Kurti, duke iu dhënë haptas e publikisht të drejtë kërkesave të Rrahman Jasharajt dhe mësimdhënësve tjerë që edhe në atë kohë bënin thirrje për Ligjin e Pagave.
Sipas tij, problemi i vërtetë është Qeveria e Kosovës.
“Ajo (Qeveria) vlerëson shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit publikë.” – vazhdonte ai.
Kjo fjali është veçanërisht e rëndësishme nëse marrim për bazë fushatat linçuese të aktivistëve të partisë së tij (ministra, deputetë, këshilltarë) që mund të klasifikohen si “shërbëtorë politikë” kundrejt Rrahman Jasharajt dhe mësimdhënësve tjerë që mund të klasifikohen si shërbyes publikë.
Edhe z. Kurti është treguar shumë më simpatik ndaj shërbëtorëve të tij politikë se sa ndaj shërbyesve publikë të shtetit, tash që është kryeministër. Dimal Basha – deputet i tij – e quante “analfabet” Rrahman Jasharajn dhe e lidhte me një përpjekje të fshehtë për rrëzim nga pushteti. Elvis Hoxha – ideolog i partisë së tij – e lidhte me Serbinë. Hysamedin Feraj – këshilltar i tij – e lidhte me Serbinë e ShIK-un.
Gjuha e asnjërit prej tyre nuk është dënuar nga kryeministri i Kosovës. Përkundrazi, ai ka inkurajuar këto sulme duke nënkuptuar se fajtore për gjendjen në arsim është sindikata e arsimit dhe mësimdhënësit dhe jo politikanët dhe ekspertët e arsimit që kanë për detyrë të hartojnë politika në këtë fushë.
Pra, edhe në Qeverinë Kurti vlerësohet shërbëtori politik dhe jo shërbyesi publik.
“Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë mes pabarazinë karshi tyre.” – shkruante menjëherë në fjalinë vijuese z. Kurti.
Natyrisht, nuk ishte Kurti si kryeministër por Nacionalja si gazetë që ka shkruar vazhdimisht për hendekun e madh (pabarazinë) në paga mes mësimdhënësve parauniversitarë dhe profesorëve universitarë, e po ashtu edhe për hendekun e madh në paga (pabarazinë) mes pushtetarëve politikanë dhe mësimdhënësve parauniversitarë.
Në anën tjetër, Kurti ka qëndruar i heshtur dhe as me draftet e publikuara të Projekt-Ligjit të Pagave nuk adresohen këto telashe të pabarazisë që i shtronte me të drejtë më 22 janar 2019.
Por, cila është zgjidhja sipas Albin Kurtit të 22 janarit 2019:
“Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim.” – shprehej Kurti.
Por, oborri qeveritar do të përfitojë paga edhe më të larta se deri tash dhe Kurti nuk ka bërë zë, e fatkeqësisht as ata që i quante “shërbëtorë politikë”.
Ky është statusi i plotë i tij në formë mediale dhe në formë teksti (në rast se e fshin statusin):



