Linçim i rrezikshëm: Egërsohen sulmet e pushtetit ndaj Rrahman Jasharajt, tash e lidhin me Serbinë - NACIONALE

Linçim i rrezikshëm: Egërsohen sulmet e pushtetit ndaj Rrahman Jasharajt, tash e lidhin me Serbinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet e eksponentëve të partisë në pushtet kundër qytetarit Rrahman Jasharaj nuk po ndalen. Ato kaluan në një nivel tjetër të ulët në mëngjesin e sotëm, pas pretendimit të z. Elvis Hoxha se Jasharaj ishte anëtar i partisë serbe.

“Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe.” – ka shkruar z. Hoxha në një sulm tmerrues me nuanca fashizmi ndaj z. Jasharaj.

Hoxha është një prej anëtarëve më të respektuar në Lëvizjen Vetëvendosje, përkundër sulmeve të vazhdueshme që ka bërë ndaj fjalës së lirë dhe qasjes dehumanizuese ndaj kundërshtarëve apo thjesht kritikëve të Albin Kurtit.

Ai madje ka shërbyer edhe si këshilltar i kryeministrit Kurti në Qeverinë Kurti I.

Dehumanizimi i Jasharajt përmes Serbisë

Rrahman Jasharaj nuk është anëtar i asnjë partie politike serbe, siç ka pretenduar z. Hoxha. Për më tepër, nuk ka asnjë provë që dëshmon se ai është qoftë edhe ish anëtar i ndonjë partie politike serbe.

Ali Sefaj, që kishte qenë edhe përkrahës i Vetëvendosjes, i doli kundër kësaj akuze duke i bërë thirrje kryeministrit që të distancohej nga shpifja.

“Rrahman Jashari vjen prej familjeve më të forta dhe më patriotike në Dukagjin. Kushdo që synon me akuzu Rrahmanin, njeriun qe është rrahur dhjetëra herë nga policia serbe në vitet e 90’ për shkollën shqipe, bëhet argat i Serbisë me ose pa dijen e tij.”u shpreh ai.

Për keqtrajtimet që kishte pësuar nga regjimi i atëbotshëm serb në vitet ’90 ka folur edhe vetë Jasharaj, në disa raste.

Por, nuk ishte vetëm Hoxha mes eksponentëve të Vetëvendosjes që e ka sulmuar Rrahman Jasharajn duke e lidhur me Serbinë.

Avokati dhe analisti që përkrah në mënyrë fanatike kryeministrin Kurti, Tomë Gashi, gjatë ditës së djeshme e lidhi emrin e tij me atë të Rrahman Morinës.

“A është hala gjallë Rrahman Morina, a?”kishte pyetur ai.

Në të njëjtën frymë kishte sulmuar edhe Sadri Ramabaja, po ashtu aktivist i zëshëm i partisë në pushtet.

Ai quajti kryesindikalistët – përfshirë Rrahman Jasharajn – si “njerëz pa atdhe” në një status në Facebook qysh më 18 gusht, ditën kur u paralajmërua shpallja e grevës së përgjithshme.

Denoncimi i gjuhës

Për fat të keq, numri i aktivistëve të Vetëvendosjes që po i dalin kundër kësaj gjuhe linçuese ndaj z. Rrahman Jasharaj është fare i vogël.

Po ashtu, ka mungesë reagimesh edhe nga anëtarë të shoqërisë civile.

Megjithatë, i ashpër kundër kësaj gjuhe u shpreh z. Shkodran Ramadani, politolog:

“Keshilltari i Albin Kurtit, Elvis Hoxha, paska vazhduar rutinen e tij fashiste dhe paska sulmuar Rrahman Jasharajn, duke thene se ky i fundit eshte anetar i partise serbe.

Mos harroni, Albin Kurti ja u ndale pagat grevisteve, mjekeve dhe secilit punetor ne administraten e komunave. Ama i paguan rregullisht me para te jujat fashistet Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha, per me linçu brutalisht cdo kritik te tij. Nje kabinet fashist prej te parit e te i ma i mbrami.” - deklaroi ai.

Nacionale do të marrë një qëndrim edhe për këto akuza nga z. Jasharaj gjatë orëve në vijim.

Lajme të ngjashme