Të premten Serbia i drejtohet KFOR-it për zbarkimin e 1000 trupave në Kosovë
Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që t'i drejtohet edhe zyrtarisht KFOR-it për çështjen e kthimit të ushtarëve serbë.
Këtë e konfirmoi para pak çastesh Aleksandar Vuçiq, që siç raporton N1, ky vendim doli nga mbledhja e fundit e qeverisë serbe.
Madje, thuhet që vendimi ishte unanim dhe se palët u pajtuan që i njëjti në formë elektronike të dërgohet sonte në mbrëmje, kurse nesër në mëngjes të mbyllen edhe çështjet administrative.
Se do të ndodhë kjo kërkesë, është bërë e ditur pak ditë më parë nga kryenegociatori Petkoviq.
Megjithatë, Zëvendës Ndihmës-Sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka shtuar se nuk e mbështesin aspak "kërkesën" e Serbisë për zbarkimin e 1000 trupave në Kosovë.
Ai shtoi se ShBA-ja nuk e mbështet fare një kërkesë të tillë dhe se si çdoherë do të jetë garancë për Kosovën.
“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha ai.
Çka thotë Rezoluta 1244?
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Në anën tjetër, mediumi serb “Novosti” tri ditë më parë publikoi një kërkesë për të cilën po pretendon se është ajo që Serbia do t'ia dërgojë komandës së KFOR-it, për të mundësuar vendosjen e ushtarëve dhe policëve serbë në veri të Kosovës.
Sipas kësaj kërkese, Serbia po kërkon që trupat të vendosen në veri pasi është “e nevojshme të sigurohet mbijetesa e serbëve dhe komuniteteve të tjera”.
“Novosti”, raporton se në këtë tekst janë të detajuara arsyet pse “është e nevojshme” ardhja e trupave serbe.
“Kjo lëvizje e autoriteteve serbe, e cila padyshim do të bëhet pjesë e historiografisë, nëse shikohet në mënyrë strikte ligjore, sigurisht që nuk është një goditje boshe. Sepse dispozita e Rezolutës 1244 është formuluar në atë mënyrë që nënkupton detyrimin për të mundësuar kthimin e ushtrisë dhe policisë sonë.” – thuhet në këtë kërkesë, siç pretendohet nga mediumi në fjalë.
Por më tutje, raportohet se në kërkesën e Serbisë, thuhet se “komandanti i KFOR-it nuk ka kompetencë diskrecionale për të vendosur nëse do ta lejojë këtë apo jo, por është i detyruar të lehtësojë ardhjen e forcave serbe në veriun e Kosovës”.
“Kthimi i ushtrisë dhe policisë së Republikës së Serbisë nuk është thjesht një mundësi, por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi obligim për KFOR-in që ta mundësojë këtë kthim.” – raportohet se do të shkruajë në këtë kërkesë, e cila nesër do të mësohet edhe zyrtarisht.
