“Të pafytyrë, flasin palidhje”, Hoxha i sulmon ambasadorët: E marrin popullin e Kosovës për budallë - NACIONALE

“Të pafytyrë, flasin palidhje”, Hoxha i sulmon ambasadorët: E marrin popullin e Kosovës për budallë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka shkruar një status, në të cilën ka komentuar kërkesat e ambasadorëve të vendeve aleatë të Kosovës drejtuar Qeverisë Kurti.

Në shkrimin e tij të shkurtër, Hoxha, që është një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit Albin Kurti, ka pasur fjalë të rënda për ambasadorët e vendeve mike të Kosovës. Ai ka bërë disa pretendime të çuditshme e aspak politikisht korrekte.

Së pari, ai ka pretenduar se ambasadorët janë miq të Kosovës “sa për të dëmtuar Kosovën”. E dyta, ai e ka thelluar interpretimin e tij të çuditshëm, duke shkruar se ambasadorët “po e marrin popullin e Kosovës për budallë”. E treta, ai i ka quajtur ambasadorët “të pafytyrë”, teksa shkroi se shqiptarët po i kthehen mendimit se diplomatët janë të pafytyrë.

"Ambasadorët në Kosovë ngado thonë se janë miqtë e Kosovës. Fjalë të dytë kanë se Kosova nuk i dëgjoi miqtë e vet. Fjalë të tretë kanë se Serbia nuk ka dëgjuar asnjëherë, asgjë të rekomanduar prej tyre. Por, fjala e katërt, Kosova duhet t'i dëgjojë patjetër.

Pra, ata janë miq të Kosovës sa për ta dëmtuar Kosovën. A ka mundësi të jenë miq të Serbisë e ta dëmtojnë pak, vetëm pak.” – shkroi ai.

Tutje, ai e ka goditur me emër edhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke shkruar se ai nuk di ç'të thotë.

"Rohde, për shembull, nuk di c'të thotë. Si mund të thotë se po e marrin popullin e Kosovën për budallë. Edhe kërkesat për Serbinë, ia paraqesin Kosovës. Natyrisht, thotë Rohde, duhet të ndalen grupet kriminale, por lidhjet ekonomike me Kosovën do të bien. Ambasadorët e marrin popullin e Kosovës për budallë. Por nuk po e kuptojnë se shqiptarët po i kthehen mendimit se diplomatët janë të pafytyrë. Po flasin sende pa lidhje. Edhe ata vetë e kuptojnë se po ndjekin politikën e Lajcakut, dhënien e veriut të Kosovës Serbisë, por edhe këtë gabim të tyre duhet ta faturojnë në kurriz të Kosovës e jo si paaftësi dhe padrejtësi të tyre." - shkroi ai.

Lajme të ngjashme