Shtetit 's'i bën për të miturit' – qindra motele në Kosovë inspektohen nga vetëm një “grusht” personash
Ligjin për Turizëm i cili u miratua me 76 vota pro dhe asnjë abstenim në fund të muajit maj vitin e kaluar, ligj i cili parasheh edhe çështjen e inspektimit të hoteleve dhe moteleve, ende nuk është duke gjetur zbatim.
Ky Ligj nuk po arrin që të zbatohet për shkak të procedurave administrative, të cilat po e bëjnë të pamundur procesin e inspektimit ku mund të identifikohen hotelet dhe motelet të cilat nuk kanë një filtër klientësh, por pranojnë aty edhe persona të mitur të cilët mund të abuzohen seksualisht.
Rasti i fundit dhe ndoshta një prej më tronditësve në vitet e fundit ishte ai i 11-vjeçares në Prishtinë ku dyshohet se gjatë muajit qershor të vitit të kaluar, e mitura kishte përjetuar dhunë seksuale nga tetë persona.
Ndaj këtyre të fundit tashmë është ngritur aktakuzë dhe ata akuzohen për disa vepra penale. Këto akte të tmerrshme dyshohet se u kryen në disa motele në komunën e Obiliqit.
Lidhur me këtë, në një prononcim për Nacionalen, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë se me ligjin e ri të turizmit është paraparë rregullimi i inspektimeve të moteleve por shtoi se inspektorët ende po funksionojnë me metoda të vjetra.
“Me ligjin e ri të turizmit është përfshi edhe kjo mbikëqyrje, pra para këtij ligji nuk ka pasur mbikëqyrje fare, mirëpo ky ligj nuk ka mundur të aplikohet për shkak të procedurave administrative dhe merr kohë deri sa të caktohen detyrat specifike të inspektorëve, pra inspektorët janë duke punuar me ‘metodën’ e vjetër, por në momentin që kalon ligji duhet të dalin më shpesh inspektorët në teren,” - u shpreh Sogojeva.
Aktualisht në ministrinë e tregtisë dhe industrisë janë vetëm 9 deri në 11 inspektorë, dhe kjo sipas Sogojevës është mjaft shqetësuese.
“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në departamentin e inspektorëve janë diku 9-11 inspektorë të cilët për këtë sektor nuk mjaftojnë. Inspektorët kanë të drejtën për ti gjobitur dhe për të marr masa ndaj moteleve-hoteleve të cilët nuk I kërkojnë kartën e indentifikimit, pasi që nuk mund të lejohet hyrja e personave nën moshën 18,” - tha ai.
Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Departamentin për të Mitur në Prishtinë hodhi poshtë aktakuzën ndaj tre të pandehurve G.S, B.S dhe M.S, të cilët akuzoheshin për përdhunim të një vajze 11-vjeçare në qershor të vitit 2022.
Mirëpo, një vendim i tillë ka qenë i papranueshëm për Gjykatën e Apelit, pasi më 26 janar 2023, kolegji i përbërë nga gjyqtarët Hashim Çollaku kryetar i kolegjit, Xhevdet Abazi dhe Ferit Osmani anëtarë, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer çështjen penale në gjykatën e shkallës së parë, në rivendosje.


