Takimi i Osmanit e Kurtit me Macron: Presidentja tregon se çka biseduan, por s’përmendet plani franko-gjerman - NACIONALE

Takimi i Osmanit e Kurtit me Macron: Presidentja tregon se çka biseduan, por s’përmendet plani franko-gjerman

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë detaje nga takimi që ajo dhe kryeministri, Albin Kurti, patën me presidentin francez, Emmanuel Macron. Megjithatë në shkrimin e saj, nuk përmendet plani franko-gjerman rreth marrëveshjes me Serbinë.

Osmani përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se kanë biseduar rreth dinamikës së dialogut me Serbinë, si dhe për zhvillimet e fundit në vend.

“Në Pallatin Élysée, bashkë me Kryeministrin Kurti, u pritëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për të diskutuar partneritetin në mes të dy shteteve tona, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në vendin tonë”, ka thënë ajo.

Tutje, presidentja Osmani, tha se në takim kanë shprehur përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës rreth procesit të dialogut.

“Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, tha ajo.

Mes tjerash, Osmani tha se kanë biseduar edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë, derisa sipas saj, presidenti francez potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet.

“Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”, tha ajo.

Në fund, presidentja tha se kanë biseduar edhe për liberalizimin e vizave dhe që ky proces të përfudnojë gjatë presidences çeke të Këshillit të BE-së.

“Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”, tha ajo.

Për çka shkuan Kurti e Osmani në Francë?

Kurti dhe Osmani po qëndrojnë në Paris të Francës, ku po mbahet Forumi i Paqes.

Prioritetet e këtij Forumi janë si vijon: “Menaxhimi i mungesave nga multikrizat mbi popullësitë; bashkëpunimi përmes konfliktesh; rimendimi i globalizimit në një botë të polarizuar; Klima katalizuese dhe zgjedhjet ambientale; sigurimi i një bote më të sigurtë digjitale; nxitja e shoqërive më të drejta dhe më përfshirëse.

Mes folësve ndërkohë shkruhet se do të jenë edhe presidenti i Francës, presidenti i Argjentinës, presidenti i Kolumbisë dhe Mbretëresha e Jordanisë.

Por, aty do të flasin edhe të tjerë si kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell, dhe Zëvendës-Kryesuesi i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Alex Soros.

Në këtë Forum edhe më herët kishim marrë pjesë liderë politikë të Kosovës, siç kishte qenë rasti me ish presidentin Hashim Thaçi.

Plani franko-gjerman

Tashmë është konfirmuar se një plan i tillë ekziston dhe Qeveria e Kosovës ka dorëzuar komentet e saj në lidhje me të. Kryeministri Kurti la të kuptohet se një plan i tillë nuk është refuzuar, ndërkaq kryeparlamentari Glauk Konjufca, para disa ditësh, tha se propozimi ka “bazë të mirë”.

Propozimi i këtij plani për marrëveshjen mes dy vendeve, besohet të jetë përgatitur nga Franca dhe Gjermania, më saktësisht, nga këshilltarët kryesorë të presidentit Macron e kancelarit Scholz.

Ndonëse nuk dihet përmbajtja e plotë, sipas këtij plani, Kosovës i mundësohet anëtarësimi në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së. Megjithatë, këtë plan po duket se e ka refuzuar Serbia, fakt të cilin e konfirmoi edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçq.

Lajme të ngjashme