Ky ishte takimi në zyren e tij që e përmendi Kurti duke folur për Planin Franko-Gjerman
Për herë të parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli gjerë e gjatë për planin tashmë të njohur franko-gjerman.
Ai tha se me datë gjithçka kishte nisur më 18 gusht kur ishte takuar me presidentin e Serbisë, Vuçiq, e ishte diskutuar korniza e marrëveshjes.
Kjo kishte kulmuar me datën 9 shtator kur Kurtit i erdhën për takim këshilltarët e kancelarit Scholz e presidentit francez, Macron.
“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë) por më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhë në zyren time këtu përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez.", deklaroi Kurti.
Ky takim për të cilin foli kryeministri Kurti ishte zhvilluar me datën 9 shtator. Me kryeministrin e Kosovës ishin takuar këshilltarët e kancelarit Scholz e presidentit Macron. Bashkë me ta ishte edhe Miroslav Lajçak.
Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne ishin dy këshilltarët e Scholz e Macron të cilët kishin zbarkuar në zyrën e Kurtit, për t’ia dorëzuar planin franko-gjerman.
E sipas këtij plani, Kosovës i mundësohet anëtarësimi në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së. Megjithatë, këtë plan po duket se e ka refuzuar Serbia, fakt të cilin e konfirmoi edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçq.