Takimi me Kurtin, Vuçiqi: T'i ruajmë paqen e stabilitetin, të bëjmë hapa të mëdhenj përpara - NACIONALE

Takimi me Kurtin, Vuçiqi: T'i ruajmë paqen e stabilitetin, të bëjmë hapa të mëdhenj përpara

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi i 27 shkurtit po afrohet, teksa në Bruksel pritet të dalin përballë njëri-tjetrit Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq. Ndërmjetësuesit evropianë, pra Josep Borell e Miroslav Lajçak, kanë dhënë fjalë të mëdha për takimin, duke e quajtur si historik.

Dy ditë para takimit në Bruksel, presidenti i Serbisë Vuçiq ka lëshuar një deklaratë. Në një postim në Instagra, Vuçiqi ka shkruar se duhet të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“Ne duhet të ruajmë paqen, stabilitetin dhe të bëjmë hapa të mëdhenj përpara.”shkroi Vuçiq në Instagramin e tij.

Takimi

Ndryshe, siç ka shkruar gazeta Nacionale, për takimin e 27 shkurtit, tashmë janë deklaruar palët, me Miroslav Lajçakun, i dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun e Kosovë-Serbi, dje deklaroi se marrëveshja është e tipit “mere ose lëre”, pra e panegociueshme. Në një intervistë për RTK-në, Lajçak deklaroi se propozimi evropian nuk negociohet dhe pret që presin që zyrtarisht palët të deklarojnë nëse e pranojnë planin.

“Presim që ata (Kurti dhe Vuçiq” që zyrtarisht dhe publikisht të deklarohen se e pranojnë planin. Duhet të jetë më shumë se një pranim gojor.” - tha Lajçak.

E për çështjen e dialogut janë deklaruar edhe Departamenti i Shtetit të ShBA-së, i cili, në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, ka theksuar se nga Kurti e Vuçiqi presin të jenë “konstruktivë”.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” - theksohet në përgjigjen e DASH-it.

Natyrisht, DASh-i nuk ka harruar të përmend pranimin që Kosova e Serbia ia kanë bërë planit franko-gjerman.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme.” - thuhet nga DASH-i.

A mund të nënshkruhet marrëveshja?

Plani franko-gjerman mund të nënshkruhet të hënën e 27 shkurtit në Bruksel. Në fakt, kjo marrëveshje, që tash po njihet si propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve, është e panegociueshme. Pra, sipas Lajçakut, plani evropain është e tipit “merre ose lëre”. Nënteksti është i qartë: marrëveshja që do të servohet të hënën është e panegociueshme.

Në fakt, nënshkrimin e Kurtit e kanë paralajmëruar opozitarët. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkroi dje se në takim e 27 shkurtit, Kurti mund ta nënshkruan marrëveshjen, që s’do të jetë përfundimtare.

“Plani franko - gjerman nuk ka pikur nga qielli. Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë - Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër.” – shkroi ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Për mundësinë e marrëveshjes ka folur edhe z. Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për gazetën Nacionale.

"Po dëgjohen zërat se në atë takim do të nënshkruhet draft-marrëveshja, nuk do të befasohesha nëse kjo ndodh sepse negocimi për këtë draft është zhvilluar me muaj të tërë. Vetëm se ky dokument mund të jetë më shumë paramarrëveshje me korniza të pajtimeve dhe obligimeve të fiksuara, ku përcaktohet edhe afati i negocimit në detale të marrëveshjes finale. Nuk jam i kyçur në proces që të di hollësitë, jam vetëm observues i jashtëm." - tha Maliqi.

Tutje, filozofi i njohur kosovar ka folur edhe për pasojat që mund t'i ketë një refuzim i Kurtit për të nënshkruar marrëveshjen.

"Një “JO” e tij në rrethanat e sotme, kur Serbia po përpiqet që t`i afrohen SHBA-ve, do të ishte veprim me pasoja të mëdha për Kosovën. Kurti gjatë dy mandateve si kryeministër ka arritur t’i zhgënjej deri në irritim dy administratat amerikane, dhe shpresoj se më në fund është mbushur mend. Nuk mund të jetë aq miop që të kontribuojë prishjes së marrëdhënieve me superfuqinë botërore që e kemi pas alete dhe mentore që nga vitet 90 dhe që asnjëherë nuk na ka zhgënjyer." - deklaroi tutje ai.

Lajme të ngjashme