VV hap dyert e Kuvendit për diasporën: Dje u pritën nga “kryetarja”, vizitat vazhdojnë edhe sot e nesër - NACIONALE

VV hap dyert e Kuvendit për diasporën: Dje u pritën nga “kryetarja”, vizitat vazhdojnë edhe sot e nesër

1 orë më parë

nga NACIONALE

Mërgimtarët do të kenë mundësi ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës edhe sot e nesër, sipas një njoftimi të bërë nga ky institucion. Ndonëse Kuvendi nuk është konstituuar, të njëjtit dje janë pritur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Siç raportoi Nacionale të hënën, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka shkelur edhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Kur seanca konstituive nuk përmbyllet, sipas Rregullores, ajo duhet të vazhdojë më së largu brenda 48 orëve.

Theksojmë se seanca u ndërpre të shtunën me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kjo parti tejkaloi afatin e përcaktuar nga Kushtetuta e Kosovës që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve.

Partia e Albin Kurtit e ka hapur seancën në ditën e parafundit të këtij afati kushtetues dhe nuk ka propozuar askënd për kryetar të Kuvendit.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO124/25 e përcakton afatin 30-ditor si “afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Kuvendi pret diasporën

Megjithatë, sipas një njoftimi të bërë nga ky institucion, dyert e Kuvendit do të jenë të hapura për bashkatdhetarët edhe sot dhe nesër, nga ora 12:00 deri në orën 16:00.

Të hënën, ata u pritën nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, të cilës Kuvendi, në një postim në rrjetin social Facebook, iu referua si “kryetarja”.

“Kryetarja Haxhiu tha se Kuvendi i hap dyert çdo vit për mërgatën tonë, për t’i afruar edhe më shumë me institucionin ku merren vendimet për të ardhmen e vendit tonë.

Për shumë prej tyre, shtoi ajo, kjo ishte hera e parë që panë nga afër sallat e Kuvendit, vendin ku përfaqësohet zëri i qytetarëve të Kosovës, patën mundësi të takojnë edhe deputetë të Legjislaturës XI dhe të bashkëbisedojnë për Kosovën, për kontributin e mërgatës dhe për lidhjen e fortë që na bashkon.

Dyert e Kuvendit do të jenë të hapura për bashkatdhetarët edhe nesër dhe pasnesër, nga ora 12:00 – 16:00”, thuhej në njoftim.

Të shtunën, pas shqetësimeve të opozitës se me thirrjen e seancës u shkel Kushtetuta, Haxhiu deklaroi se “kushdo që ka problem me këtë, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”.

“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ju e dini që vitin e kaluar e kanë bërë në vazhdimësi. Prandaj edhe sot, në qoftë se nuk pajtohen me thirrjen e kësaj seance, e kanë mundësinë që ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar këtë seancë si çështje kushtetuese për shkak se bëhet fjalë për konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.

Theksojmë se në të njëjtën seancë të thirrur nga VV-ja, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë dhe nuk e propozoi emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Kjo nxiti pakënaqësi te deputetët e opozitës, ndërsa Time Kadriaj e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjuajti me vezë në drejtim të Kurtit.

Lajme të ngjashme