“Takimi i elefantëve”: A do ta nënshkruajë Albin Kurti marrëveshjen që Lajçak e quajti "merre ose lëre"? - NACIONALE

“Takimi i elefantëve”: A do ta nënshkruajë Albin Kurti marrëveshjen që Lajçak e quajti "merre ose lëre"?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjithçka është gati për takimin e elefantëve në Bruksel. Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, do ta ketë përballë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa në mes tyre, si ndërmjetësues, do të jetë Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes dy vendeve. Aty do të jetë edhe Josep Borrell, shefi i diplomacisë së BE-së. Por prezenca më e rëndësishme do të jetë në mes të tavolinës.

Plani franko-gjerman mund të nënshkruhet të hënën e 27 shkurtit në Bruksel. Në fakt, kjo marrëveshje, që tash po njihet si propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve, është e panegociueshme. Pra, sipas Lajçakut, plani evropain është e tipit “merre ose lëre”. Nënteksti është i qartë: marrëveshja që do të servohet të hënën është e panegociueshme.

“Presim që ata (Kurti dhe Vuçiq” që zyrtarisht dhe publikisht të deklarohen se e pranojnë planin. Duhet të jetë më shumë se një pranim gojor.” - tha Lajçak.

Në fakt, nënshkrimin e Kurtit e kanë paralajmëruar opozitarët. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkroi dje se në takim e 27 shkurtit, Kurti mund ta nënshkruan marrëveshjen, që s’do të jetë përfundimtare.

“Plani franko - gjerman nuk ka pikur nga qielli. Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë - Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër.” – shkroi ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Ndërsa, nënshkrimin e mundshëm të Kurtit e ka komentuar edhe politologu Shkodran Ramadani, i cili ka ironizuar me “panegociueshmërinë” e planit franko-gjerman, siç e theksoi z. Lajçak.

“Paramendoni, e kanë emrin Vetëvendosje, por e pranojnë një plan për të cilin thonë se "ne nuk kemi fare gisht në hartimin e tij". Kjo parti ka premtuar që do t'i jep fund kompromiseve të dhimbshme, por po bëhet partia e parë në histori të Kosovës që pranon plan nderkombëtar pa e ndryshuar as edhe një shkronje të tij. Natyrisht, ne e dimë që negociatat e tyre në këto dy vite kanë sjellë Planin. Mirëpo pas këtyre deklaratave, me qenë i sinqertë, Albin Kurti shkon nesër në KQZ dhe ia ndryshon emrin partisë se tij në "JO NEGOCIATA! VETËDORËZIM!". Por të kërkosh sinqeritet prej këtij mashtruesi është kërkesë shumë ambicioze. Gjithmonë mbetesh duarthatë” – shkroi ai.

Në fakt, për pamundësinë e negocimit të planit, e ka konfirmuar edhe vetë z. Kurti ditë më parë gjatë një seancë në Kuvendin e Kosovës.

“Duhet kuptuar se nuk ka pasur mundësi që të vijnë nga Brukseli, Berlini e Parisi e të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme, sepse kjo do shumë procese negociator të thellë, të gjerë e të gjatë. Andaj emisarët evropian, emisarët franko-gjerman nuk na kanë sjell një dokument në stilin merre ose lere. Andaj ata nuk na kanë mund ta sjellin propozim për marrëveshje finale. Ata kanë sjell propozim për një marrëveshje bazë, ose le te themi për një kornizë. ” - ka thënë Kurti.

Madje, Kurti kishte treguar edhe për masat ndëshkuese që diplomatët ia përmendën në rast të refuzimit të planit franko-gjerman.

"Nuk do të lejohet hapja apo negocimi i tij. I gjithë aparati diplomatik e politik i shteteve është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nuk pritej jo nga Kosova, sepse do të hynim në rrugë konfrontimi me ta. Cfarëdo refuzimi do të shoqërohet hapa kundërshtues e ndëshkues në hapa diplomatik për Kosovën. Unë ia dhashë komentet e mia qysh në fillim të atij takimi. Edhe herën e parë edhe herën e dytë i kam ofruar të shkruara”, tha Kurti.

Në një formë, “nënshkrimin e ka nënkuptuar” edhe Departamenti i Shtetit të Amerikës. Në një përgjigje për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, DASh-i ka kërkuar konstruktivitet nga ana e Kurtit dhe Vuçiqit.

“Ne presim që të dy liderët t'i qasen takimeve në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të.” - deklaroi VOA në serbisht, transmeton Koha.

Tutje, në përgjigjen e tyre, DASh-i vlerëson se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” - theksohet në përgjigjen e DASH-it.

Sigurisht, nga DASh-i nuk kanë harruar të përmendin pranimin që Kosova e Serbia ia kanë bërë planit franko-gjerman.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme.” - thuhet nga DASH-i.

Lajme të ngjashme