Takime, zgjedhje, ndoshta edhe demonstratë: Si po e kundërshton opozita e përçarë Qeverinë Kurti? - NACIONALE

Takime, zgjedhje, ndoshta edhe demonstratë: Si po e kundërshton opozita e përçarë Qeverinë Kurti?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Opozita parlamentare është ngjallur së fundmi, posaçërisht pas përplasjes së Qeverisë Kurti me aleatët perëndimor dhe përgjimet e publikuara nga Nacionale të Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së, ku konfirmohej biseda e saj me Milan Radojiçiqin, i sanksionuar nga ShBA-ja dhe i kërkuar nga Kosova si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Deri tani opozita ka zgjedhur diskutimet si metode primare, ndonëse nuk e ka përjashtuar edhe protestën. Ndërsa kërkesa për zgjedhje të reja tashmë është etabluar si kërkesë e PDK-së.

Megjithatë, cilësia kryesore e opozitës është përçarja dhe ecja ndaras në rrugën e kundërshtimit të Qeverisë Kurti dhe pushtetit të LVV-së. Në fakt, janë disa ide të cilat opozita i ka hedhur në hapësirën politike. Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, tashmë e ka të qartë zgjidhjen e problemit e krizës aktuale. Sipas tyre, duhen zgjedhje të reja parlamentare, pasi sipas tyre Qeveria Kurti e ka humbur kredibilitetin e tyre.

"Gjithsesi, duke parë se kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin – PDK konsideron se zgjidhja e vetme për ta larguar Kosovën nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë." – shkruhej në një komunikatë të PDK-së dy ditë më parë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur një rrugë të re, e cila përfshin edhe konsultimin me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile e medies, përfshirë disa gazetarë të njohur të Kosovës. Por LDK, më saktë kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk e ka përjashtuar as mundësinë e protestës.

“Natyrisht, sepse ne tani bojkotimi ende në formatin e plotë le të themi se nuk marrim pjesë në komisione, të mos marrim pjesë në seanca, të mos marrim pjesë në jetën parlamentar ende nuk kemi ardhur në atë pozitë sepse nuk është qëndrim ende i LDK-së, or nuk e përjashtojmë varësisht prej zhvillimeve. Në fakte ne nuk i kemi përjashtuar çdo formë të refuzimit ndaj partinave të qeverisjes që është edhe jashtë institucionale, përfshirë edhe demonstratën. Nuk i kemi përjashtuar asnjëherë në qoftë se kuptojmë që rruga institucionale e pirur prej Qeverisë së Kosovës, prej liderëve tonë institucional është drejt përplasjes katastrofale te Kosovës, tani ne e vërejmë që është nisur në atë drejtim dhe po përpiqemi ta parandalojmë.”- ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa, AAK-ja e ka nisur një rrugë, që është në fakt kopjim i idesë së LDK-së. Sikurse partia e Abdixhikut, edhe partia e Ramush Haradinajt ka nisur konsultimet me aktorë të shoqërisë civile e medieve.

“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka filluar një cikël diskutimesh për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë, me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave. Kësaj here, do të mbahet tryezë diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave, këtë të enjte, më datë 20 korrik, në ora 12:00, në sallën 506, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.” – thuhej në njoftim të AAK-së, të lëshuar mbrëmë.

E pas takimit, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, tregoi për konkluzionet e përbashkëta nga takimi me mediet dhe shoqërinë civile.

“Ishte një konkluzë se nuk duhet të heshtim para një situatë kur Kosova është e sanksionuar. Ne do të vazhdojmë edhe me sektorë të tjerë në mënyrë që të dalin nga kjo bllokadë që ka vendi. Ishte kërkesë që opozita të bashkëveprojë me shoqërinë cilivie, me rikthye Kosovën në normalitet, me pas normalitet edhe në rajon, me ec përpara me rezultatet e dialogut” – ka thënë Haradinaj në një konferencë për media, transmeton EO.

Ndryshe, OVL e UÇK-së dje ka njoftuar se po mobilizohet për një protestë kundër projekligjit të pagës minimale që u votua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme