Ismaili për audio-incizimin Kusari-Simiq: Kur dëgjoj krejt çka është thënë, më së paku ndihem i ofenduar
Në emisionin "Debat Plus", Uran Ismaili, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, sfidoi - edhe njëherë - jo pak veten për të dëgjuar ofendimet e rënda që i bëri shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, gjatë bisedës së saj të gjatë me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq. Në transkriptin e përgjimit, Kusari-Lila u dëgjua duke iu referuar Ismailit si "idiot patetik". Nënkryetari i PDK-së diskutoi me një maturi politike të theksuar. Ai - ndonëse pranoi se ishte sfiduese të dëgjonte fjalët e tilla të drejtuara drejt tij - theksoi përgjegjësinë e tij ndaj qytetarëve, duke shmangur komentet mbi ofendimet personale të Kusari-Lilës. Ai insistoi vazhdimisht se situata më shqetësuese ishte "ofendimi i qytetarëve të Kosovës".
Uran Ismaili fillimisht shprehu se nuk është e lehtë për të dëgjuar fjalë të tilla ofenduese dhe sulme personale ndaj vetes. Ai thekson se Mimoza Kusari-Lila ka menduar se mund të e quajë atë në këtë mënyrë për shkak të qëndrimeve të tij publike.
Ai përmend se të gjitha qëndrimet e tij kanë qenë të shprehura publikisht dhe ka kritikuar Kusari-Lilën në rastin kur ajo i ka thënë Listës Serbe pse nuk protestonin së bashku me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ismaili vlerësoi këtë thirrje si të papërgjegjshme dhe fyerëse për të gjithë kombin.
"Nuk ka qenë e lehtë, nuk është asnjëherë e lehtë me degju teksa të ofendon edhe të sulmon dikush në mënyrë personale. Po me duket që zonja Kusari-Lila ka menduar që mundet të më quaj ashtu për shkak të qëndrimeve të mia publike. Pra, unë nuk kom pas qëndrime jo-publike. Të gjitha që i kam pasur, i kam pasur qëndrime publike. E kam kritikuar zonjën Kusari-Lila është e vërtetë. E kam kritikuar në rastin kur ajo i ka thënë Listës Serbe; pse s’po dilni edhe ju me protestu me veteranët e UÇK-së. Ka qenë totalisht jo-sensitive. Me pa unë Sllavko Simiqin me dikë që ka humbur gjymtyrët e veta pikërisht nga regjimi edhe sot Sllavko Simiq i jep llogari. Për mua ka qenë fyerje kombëtare. Për mua. E kom perjetu si të tillë. S’e kom perjetu si PDK. Unë e kom përjetuar si Uran Ismaili", - deklaroi z. Ismaili.
Më shumë se personalisht, Ismaili theksoi se është prekur me deklarimet e tjera që janë bërë nga Kusari-Lila, të cilat, sipas Ismailit, ofendojnë qytetarëi. Ai përmend shpenzimet e mëdha që janë bërë për veri të Kosovës.
"Po kthehem te ofendimi. Kur e sheh në vazhdën e gjithçkaje që është thënë, atëherë mua më duket që unë më së paku jam ofenduar. D.m.th., kur e sheh që ndoshta ato miliona euro të cilat janë të qytetarëve tanë, e që janë shpenzuar për veri. Afër 90 e diçka milionë euro janë shpenzuar për veri që një vit. Dhe kur flitet me Milan Radojiqiçin ‘po jemi dakorduar për rrymën në veri’, unë konsideroj që ajo është djersë e popullit tonë", - pohoi Ismaili.
Ai thekson ofendimet që janë bërë ndaj UÇK-së si ofendime më të mëdha se ofendimi personal ndaj tij. Ismaili shprehu vendosmërinë për të tejkaluar këtë situatë dhe për të fokusuar në çështjet që prekin qytetarët dhe zhvillimin e vendit.
“Konsideroj që me folë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ti mundesh me pas mosmarrëveshje, me pas mendime të ndryshme, politika të ndryshme, por, para Sllavko Simiqit mendoj se përsëri ka qenë një ofendim më i madh sesa ofendimi personal. Pra, këto dy ofendime të tjera janë ofendime që i bëhen qytetarëve. Ofendimin tim personal e kam marrë mandej që jam ofenduar dhe e imja është me e tejkalu. Nuk është e imja me hy në këtë vallën e ofendimeve të njëpasnjëshme. Kam tentuar me e tejkalu duke besu më shumë që roli im dhe përgjegjësia ime është ndaj qytetarëve më shumë sesa ndaj një personi që ka vendosur të më ofendoj. Kështu që po e tejkalojmë”, deklaroi ai.
Audio-incizimet
Në incizimet e publikuara nga Gazeta Nacionale, shefja e deputetëve të VV-së, derisa provonte ta bindë deputetin e atëhershëm të Listës Serbe për konstruktivitetin e saj duke fyer rëndë kolegët e tij shqiptarë, në një segment të incizimeve ku fjala ishte për Uran Ismailin e PKD-së ajo thotë: "Ai është idiot patetik, të them."
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është... Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë Ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemt urbanë që kanë shkuar në PDK. Kemi pasur marrëdhënien më të mirë. Urani, dy herë, jo një herë, dy herë, publikisht, më ka sulmuar në mënyrën më të ultë. As të tjerët nuk kanë bërë çfarë ka bërë ai. Herën e parë e ka bërë, e di atë policin Enver Zyberi që e kanë vrarë, po flisnim për gjendjen në energji në Komision, ai ende ishte deputet atëherë, dhe ai ka thënë pse ende po presim atë gjendjen tjetër dhe implementimin e marrëveshjen për energjinë. Dërgojeni policinë dhe le të rregullohet. E di atë që keni thënë ju që të mos bëhet në veri”, - dëgjohet duke thënë Kusari-Lila.