Surroi e “izolon” sekretarin Cameron, ia huq keq për “vizitën e tij të parë në Kosovë” - NACIONALE

Surroi e “izolon” sekretarin Cameron, ia huq keq për “vizitën e tij të parë në Kosovë”

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Pronarja e Grupit “Koha”, Flaka Surroi, mund të jetë e informuar për shumë zhvillime, por, si duket, nuk e ka përcjellë fare punën e sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron. Në këtë përfundim arrijmë duke u mbështetur në dy fjali të një vështrimi që zonja Surroi e publikoi të shtunën.

“Lajmi i javës, pa asnjë dyshim, qe vizita e ministrit të ri të Jashtëm të Britanisë së Madhe, ish-kryeministrit britanik, David Cameron.” Kështu nis, pas nëntitullit, vështrimi i Flaka Surroit, i publikuar në Koha.net. Me këtë vlerësim ndoshta pajtohemi të gjithë. Ishte vizitë e rëndësishme e një figure të rëndësishme.

Megjithatë, gazetarja veterane rrëshqet në pasaktësi të thellë në dy fjalitë pasuese.

“Vizita ka vlerë edhe më të madhe për nga fakti se është vizita e tij e parë në postin e ministrit të Jashtëm. Pra, pikërisht e nis mandatin e tij (në kuptimin e vizitave jashtë vendit) me vizitën në Kosovë”- shkroi Surroi.

Këto dy fjali i nxorën goxha punë gazetarit të Nacionales për lajme ndërkombëtare, sepse u detyrua që t’i numëronte të gjitha vizitat e britanikut Cameron jashtë vendit të tij që nga emërimi në pozitën e sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar.

David Cameron-u u emërua në pozitën e lartë të shefit të diplomacisë britanike më 13 nëntor të vitit të kaluar. Nga ajo kohë, ai ka vizituar shumë shtete para se të vinte në Kosovë këtë javë.

Mjafton të vizitohet llogaria e tij në rrjetin X që të shihet itinerari i ngjeshur i diplomatit britanik nëpër botë pas emërimit si sekretar i Jashtëm, i dokumentuar me fotografi. Pra, ai nuk ishte aq “i izoluar” gjatë javëve të kaluara, siç lihet të kuptohet në shkrimin e zonjës Surroi.

Fillimisht, më 16 nëntor, Cameron-i një vizitë të befasishme në Ukrainë, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Volodymyr Zelensky, e me zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas.

Më pas, ai e vizitoi Moldavinë, ku u takua me presidenten e këtij shteti, Maia Sandu.

Disa ditë më vonë, sekretari britanik shkoi në jug të Izraelit, për ta parë nga afër skenën e sulmit të Hamasit më 7 tetor. Gjatë qëndrimit në Izrael, ai u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu e presidentin Isaac Herzog.

Nuk u ndal me kaq. Diplomati Cameron e vizitoi edhe Bregun Perëndimor, ku u takua me zyrtarë të lartë palestinezë, përfshirë presidentin Mahmoud Abbas.

Më 28 nëntor të vitit të kaluar, ai e vizitoi edhe Brukselin e Belgjikës, ku mori pjesë në një samit të NATO-s.

Cameron-i shkoi edhe në Shkup, në nëntor, ku mori pjesë në një takim të ministrave të vendeve të OSBE-së.

E vazhdoi vargun e vizitave jashtë vendit me pjesëmarrjen në samitin global për klimën, i cili u mbajt në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe në fund të nëntorit e në fillim të dhjetorit.

Më 8 dhjetor, kryediplomati i ShBA-së, Antony Blinken, na njoftoi se e priti si mysafir homologun britanik në Departamentin e Shtetit.

Lexues të dashur, a jeni lodhur duke lexuar? Mbahuni, sepse sekretari britanik i ka hipur aeroplanit edhe disa herë të tjera para se të shkelte në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Më 19 dhjetor, ai njoftoi se ishte pritur në Paris nga presidenti francez, Emmanuel Macron, e homologia e tij franceze, Catherine Colonna.

Në të njëjtën ditë, Cameron-i publikoi fotografi nga Roma me homologun Italian, Antonio Tajani.

Një ditë më pas, britaniku shkoi në Aman të Jordanisë, ku u takua me homologun jordanez, Ayman Safadi.

Më pas, ai shkoi në kufirin mes Egjiptit e Gazës, për ta parë shpërndarjen e ndihmave britanike për banorët e enklavës palestineze. Në Kajro, u takua me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi.

Shkoi edhe në Liban, ku u prit nga kryeministri i këtij vendi, Najib Mikati.

Eh, erdhi koha që të kthehemi në Sllatinë. Më 4 janar, sekretari Cameron na nderoi me vizitën e tij në Kosovë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e ministren e Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz.

Lajme të ngjashme