Surroi e “harron” luftën e UÇK-së, thotë se NATO e solli lirinë e Kosovës më 1999
Veton Surroi, publicist i njohur, ka publikuar në mediumin Koha një shkrim të gjatë të titulluar “NATO sërish me ditëlindje jubilare dhe dilema të reja”. Në këtë shkrim, Surroi ka teoritizuar mbi ditëlindjen e 75-të të NATO-s, duke u rikthyer edhe në historinë e para 25 viteve.
Në fakt, Surroi ka bërë një konkludim të skajshëm dhe shumë arbitrar. Në shkrimin e tij, Surroi ka konkluduar se NATO e solli lirinë në Kosovë në vitin 1999, që korrespondonte me ditëlindjen e 50-të të saj.
“Nëse më 1999 ditëlindja e NATO-s solli lirinë e Kosovës, ditëlindja e 2024-s duhet të sjellë një përkushtim për lirinë e tërë regjionit të Ballkanit Perëndimor.” – thotë Surroi në fund të shkrimit, e që është ripërsëritur edhe në hyrje të shkrimit.
Surroi e harron, me shumë gjasë qëllimshëm, krejt përpjekjen e armatosur të UÇK-së gjatë viteve 1998-99. Në analizën e Surroit, Ushtria Çlirimtare e Koosvës përmendet vetëm një herë dhe atë në kontekst të luftës së Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, e cila, sipas Surroit, kishte nisur si operacion kundër UÇK-së.
“Një vit më herët, ndërsa Serbia kishte filluar luftën e armatosur kundër shqiptarëve në Kosovë- ndonëse si operacion kundër UÇK-së por me vrasje e përndjekje civilësh-në mesin e mendimtarëve, diplomatëve dhe vendimmarrësve në Perëndim u shtrua një pyetje e thjeshtë: nëse NATO nuk mund të ndalë luftërat e vogla si këto të Ballkanit në kontinentin evropian, çfarë është vlera e kësaj organizate për sigurinë në kontinentin evropian, tash pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të luftës së ftohtë?” – ka shkruar Surroi.
Pra Surroi u tregua i “pandjeshëm” ndaj mijëra dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të vërtetë të UÇK-së, duke ua nënvlerësuar përpjekjet drejt çlirimit të Kosovës. Fjalia “NATO e solli lirinë në Kosovë” nënkupton fshirje e anulim të historisë së UÇK-së.
Kur e kreu historinë e para çerek shekullit, Surroi iu ktheu analizave të gjeopolitikës euro-atlantike, përfshirë luftës në mes Ukrainës dhe Rusisë. Por gjatë shkrimit Surroi ishte i ashpër edhe me Bashkimin Evropian, duke shkruar se politikat e saj nuk kanë pasur peshën për të bërë transformimin e konflikteve të papërfunduara të regjionit.
Madje, sipas Surroit, sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit është përfundim logjik i politikës së BE-së që nuk e sheh revizionimin si një rrezik sigurie.
“Politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur peshën e dedikimin për të bërë transformimin e konflikteve të papërfunduara të regjionit. Komisioni i tanishëm evropian hyn në vitin e fundit të mandatit dhe nuk është se mund të jetë i kënaqur me gjendjen në Ballkan Perëndimor. Dhe përkundër krijimit të instrumenteve nxitëse për përshpejtim të integrimit të regjionit në BE, rezultati nuk është shumë inkurajues: në garën mes vizionit evropian dhe revizionizmit serb, vit pas viti fiton më shumë forcë revizionizmi serb. Fondet IPA nuk parandaluan sulmin paraushtarak në Banjskë; në fakt, sulmi në Banjskë është përfundim logjik i një politike të BE-së që nuk e sheh revizionizmin si një rrezik sigurie.” – shkroi tutje Surroi.