“Super Puna” e Qeverisë përballë bizneseve "nën hije” – një tjetër subvencion për shefat?
Qeveria ka njoftuar lansimin e platformës “Super Puna”, e cila synon punësimin e mbi 10 mijë të rinjve. Nëpërmjet kësaj pako mbështetëse dhe synimeve të qeverisë për rritjen e punësimit, ekziston rreziku punësimet e mundshme përmes kësaj skeme të mos pasqyrojnë realisht rritjen potenciale të punësimit apo edhe të mundësohen keqpërdorime për shkak të asaj që njihet si “ekonomi e nëntokës”. A do ta ketë “Super Puna” fatin e njëjtë të “Një i punësuar për familje” për të cilën nuk u raportua ndonjë rezultat dhe u harrua?
Kurti kishte thënë se lansimi i platformës “Super Puna” e shënon përmbushjen e një premtimi tjetër për qytetarët e Kosovës.
Çka synon “Super Puna”?
Përmes kësaj pakoje, shteti do të subvencionojë pagën minimale prej 264 euro për ata që punësohen për herë të parë. Në këtë skemë parashihet punësimi i të rinjve të sektorët publikë dhe privatë të tregut të punës.
Kryeministri Kurti dhe ministri Murati, gjatë prezantimit të kësaj platforme deklaruan se kjo sektorin privat të punësojë të rinj nga mosha 18 deri në 25 vjeç.
“Nga sot po e fillojmë pilotimin e skemës së garantuar për të rinjtë. Nëpërmjet saj, qeveria do të subvencionojë 264 euro, pra në lartësinë e pagës minimale, për gjashtë muajt e parë të lansimit.” - kishe deklaruar Kurti.
Ndërkohë, ministri i Financave Hekuran Murati është shprehur se qeveria synon të punësojë 10 mijë të rinj brenda vitit të parë të nisjes së platformës “Super Puna”.
“Sot prezantojmë para jush platformën ‘Super Puna’. Premtimi ynë ishte që për secilin të ri të moshës 18 deri 25 vjeç të ketë pra punën e parë të garantuar dhe të mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhe, ky premtim tanimë po zbatohet. Pilotimi i projektit do të jetë në mbështetje për gjashtë muaj për secilin të ri që punësohet në tregun e punës me subvencionimin e pagës minimale prej 264 euro.” - tha ai.
“Super Puna” përball ekonomisë “nën hije”
Sipas ekzekutivit, qëllimi i “Super Punës” është të lidhë punëkërkuesit e rinj të moshës 18 deri në 25 vjeç me punëdhënësit e mundshëm.
Nëpërmjet kësaj pako mbështetëse dhe synimeve të qeverisë për rritjen e punësimit, ekziston rreziku që shifrat e punësimeve të reja përmes “superpunës” të mos pasqyrojnë realisht rritjen e punësimit apo edhe të mundësohen keqpërdorime për shkak të “ekonomisë së nëntokës”
Kjo për shkak se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve në firma të vogla punojnë pa kontrata pune. Në Kosovë, shumica e punëtorëve nuk kanë kontrata formale të punës. Kjo për faktin se tregu i punës është kryesisht informal dhe punëtorët shpesh kanë marrëveshje joformale me punëdhënësit e tyre.
Marrëveshjet joformale ndërmjet punëdhënësve dhe punëkërkuesve mund të “lejojnë” shumë biznese të formalizojnë punëtorët që tashmë janë të punësuar në kompanitë e tyre përmes platformës “Super Puna”.
Mungesa e një kontrate të punës nga shumë të rinj në Kosovë e bën mjaftë problematike të dihet numri real i të rinjve të punësuar përmes kësaj pako.
Mungesa e të dhënave mund ta bëjë të vështirë gjykimin e efikasitetit të këtij programi dhe gjithashtu mund të hapë derën për manipulime të mëdha.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, shumicës së punëtorëve në Kosovë u mungon mbrojtja e ofruar nga kontrata, duke e bërë të vështirë për ta që të negociojnë paga më të mira.
Për platformën “superpuna”, ka reaguar edhe koordinatori i Departamentit për Financa në KQM të PDK-së, Arben Mustafa, duke thënë se kjo shpërfaq edhe njëherë “varfërinë ne ideve” për një problem kaq të madh në Kosovë, siç është “punësimi i të rinjve”.
Ai ka akuzuar qeverinë Kurti se ngjashëm me këtë, kishte prezantuar edhe plaftormën “çdo shtëpi nga një të punësuar”, për të cilën, sipas tij, “Qeveria asnjëherë nuk e bëri të ditur për publikun se sa shtëpi me asnjë të punësuar kishim atëherë dhe sa kemi sot si rezultat i asaj nisme”.
Skema të "dështuara"
Në prezantimin e "Masës mbështetëse për familjet", ministria kishte dështuar që të ofrojë shifra të sakta apo qoftë edhe matje në lidhje me numrin e familjeve kosovare që nuk e kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar.
Punëdhënësit kosovarë kishin përfituar nga shteti edhe në vitin 2020, në kohën kur qytetarët ishin izoluar për shkak të përballjes me pandeminë Covid-19.
Shumica prej tyre, atë kohë nuk punonin për shkak të mbylljes së disa veprimtarive, e kësisoji, punëdhënësit u shpërblyen me para nga shteti.
Qeveria Kurti i kishte lajmëruar për një pako mbështetëse, ku për dy muaj, parashihej ndarja e 170 eurove si mbulim i shpenzimeve të pagave mujore për punëmarrësit.
Ky vendim i Qeverisë kishte shkaktuar konfuzion te qytetarët, pasi që paratë parashihej të dilnin në xhirollogaritë e tyre, por që më pas, shefat ua ndalën atë pjesë të mjeteve në pagë mujore.


