Sulmi terrorist në Banjskë: Çka u kërkoi amerikani Chollet Kurtit dhe Vuçiqit përmes telefonit? - NACIONALE

Sulmi terrorist në Banjskë: Çka u kërkoi amerikani Chollet Kurtit dhe Vuçiqit përmes telefonit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendës sekretar amerikan i Mbrojtjes, Derek Chollet, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mesazhi i tij ka qenë që palët t’i kthehen dialogut.

Njeriu që këshillon Sekretarin amerikan, Antony Blinken, të martën mbrëma, ka kryer punën e tij, duke telefonuar e biseduar me kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq.

Këto biseda janë bërë pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur një polic i Kosovës dhe dy të tjerë të lënduar.

Gjatë bisedës me Kurtin, Chollet e dënoi ashpër dhunën ndaj Policisë së Kosovës, duke shtuar se palët duhet të kthehen në dialog.

Ai ka kërkuar që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit.

“Fola me kryeministrin @albinkurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreh ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit.” – ka shkruar ai.

Ndërsa, në bisedën me Vuçiqin, Chollet i kërkoi atij të shtensionojë menjëherë situatën dhe të shmang veprimet që mund të nxisin më tej tensione si dhe kthim në dialog.

“Fola me presidentin Vuçiq për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm në veri të Kosovës. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” – ka shkruar Chollet në rrjetin social “X”.

Në ndërkohë, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar një ditë pas sulmit terrorist në veri.

Blinken ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë të papranueshme.

“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës afër Manastirit të Banjskës janë të papranueshme,” – ka thënë Antony Blinken.

Ai tutje ka kërkuar nga të dyja palët, edhe qeveria e Kosovës por edhe Serbia që “të shmangin veprime që mund të ngrisin më tej tensionet”.

Më tej, edhe Blinken ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

Gjithashtu, një nga më të zëshmit për këtë rast, ka qenë edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Sulmi terrorist

Ndërkohë, Policia e Kosovës pas disa ditëve hetime në fshatin Banjskë dhe konfiskimin e sasive të mëdha të armatimit, kanë bërë të ditur se kanë përfunduar aksionin.

Ndërsa, sot gjatë ditës do të dihet se si do të veprohet tutje më këtë rast.

Si pasojë e sulmit terrorist në veri të vendit, rreshteri Afrim Bunjaku u vra në ditën kritike të sulmit dhe dy të tjerë u lënduan.

Ndërkaq, nga ana e grupit terrorist serb, janë vrarë tre sulmues.

Policia e Kosovës fillimisht arrestoi tetë persona për këtë rast, ky gjashtë prej tyre janë liruar, ndërsa dy prej tyre i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Lidhur me sulmin terrorist, përveç zyrtarëve të lartë të SHBA-ve, kanë reaguar edhe zyrtarë të lartë të shteteve të tjera evropiane.

Që të gjitha vendet që kanë reaguar e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga grupi kriminal terrorist serb.

Lajme të ngjashme