Përmendja e Adem Jasharit nga Vuçiq, Kurti: Epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundërpërgjigjur ndaj deklaratave të presidentit serb, Vuçiq, i cili gjatë konferencës për shtyp pas sulmeve terroriste në veri, në përpjekje për të justifikuar sulmet, përmendi rajonin e Drenicës dhe komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin.
Në postimin e tij në Facebook, Kurti ka thënë serbët kanë nevojë për çlirim nga veglat terroriste të Serbisë.
Ai ka thënë se ai (Vuçiq), "duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen."
Postimi:
Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.
Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen.