PAMJE: Publikohet video ku Radojiçiq shihet në Banjskë - NACIONALE

PAMJE: Publikohet video ku Radojiçiq shihet në Banjskë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje që tregojnë Milan Radojiçiq, nënryetar të Listës Serbe, ku shihet duke u fshehur pas organizimit të sulmit terrorist në veri të Kosovës.

Sveçla ka publikuar pamjet që duket të jenë në manastirin e Bajnskës, ku shihet Radojiçiq dhe pjesëtar të tjerë të këtij grupi.

“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.” – ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, Sveçla ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe ndërmorrën veprimin terrorist kundër Kosovës.

“Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi.” – ka thënë ai.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme Klan Kosova publikoi pamjet ku shihen terroristët serbë duke u larguar nga Manastiri pasi sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Bansjkë, duke vrarë rreshter Afrim Bunjakun dhe plagosur dy të tjerë.

Një ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se dyshohet se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ka qenë pjesë e sulmit terrorit.

“Një nga automjetet G-class, me targa BG 1107YY është gjetë një dokument i aplikimit të lejës për armë të personit Milan Radojiçiq, njëherit nënkryetar i Listës Serbe. I njejti është i dyshuar për përfshirje në disa vepra penale në Republikën e Kosovës. Dokumenti është i lëshuar nga autoritette serbe duke ngritur dyshimin e fuqishëm se në mesin e personave të armatosur e uniformuar ka qenë edhe vetë Milan Radojiçiq.” – tha Hoxha.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës dhe ku Radojiçiq është nënkryetar, ndaj ngjarjeve në veri ka reaguar vetëm 24 orë më pas.

Në reagim e saj, ky subjekt politik nuk është distancuar nga terroristët, të cilët vranë një polic të Kosovës dhe plagosen një tjetër.

“Do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë gjakftohtë edhe pse janë dorëzuar. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?” – thuhej në reagim.

Ndryshe, në një akt terrorist, një formacion prej 30 personave të armatosur rëndë sulmuan sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjska të dielën. Nga ky sulm, një polic i Kosovës mbeti i vrarë e dy të tjerë të plagosur.

Autoritetet e Kosovës njoftuan vdekjen e tre terroristëve të dielën, më pas më 25 shtator u konfirmua se ishte zbuluar trupi i një sulmuesi të katërt. Gjashtë persona janë arrestuar po ashtu.

Ndërkohë, Policia e Kosovës gjatë këtyre dy ditëve zhvilloi aksione për neutralizimin e këtij grupi.

Aktualisht, gjendja në veri është e qetë pas sulmit terrorist të së dielës nga persona të armatosur rëndë.

Lajme të ngjashme