Serbëve të arrestuar për sulmin terrorist në veri u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh - NACIONALE

Serbëve të arrestuar për sulmin terrorist në veri u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që serbëve të arrestuar për sulmin terrorist në veri të iu caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Dushan Maksimoviqit dhe Blagoje Spasojeviqit dyshohen për veprën penale kundër rendit kushtetutës në Kosovë.

Dejan Vasiq, avokat i Dushan Maksimoviq, ka treguar se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Në një prononcim për media, ai ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj kësaj mase.

Dushan Maksimoviqit sot i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.Ne do të parashtrojmë ankesë dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojmë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje se sa që ka lidhje me veprën penale.Paralajmëroj për nesër ankesë dhe do ta shohim se si gjykata do ta trajtoj këtë ankesë tonën”, ka thënë ai, duke shtuar se klienti i tij ishte i shqetësuar.

Dushani dje nuk ishte në gjendje të jap deklaratë. Ishte pak i shqetësuar për gjithë që ndodhi, por unë do të kërkoj që ai të merret në pyetje sa më parë, nëse është e mundur që nesër. Gjykimi është i mbyllur për opinionin dhe askush nga ne nuk ka autorizim që të jap detaje.. Mendoj se ai do t’i thotë të gjitha për rastin”, ka deklaruar ai, raporton RTV Dukagjini.

Gazeta Nacionale nga burimet e saj ka kuptuar se e njëjta masë është vendosur edhe për serbin tjetër.

Ata janë sjellë në Pallatin e Drejtësisë nën masa të shtuara të Policisë së Kosovës.

Dy të dyshuarit dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetutës në Kosovë. Paraprakisht Prokuroria Speciale kishte kërkuar 30 ditë paraburgim për të pandehurit.

Edhe serbit të plagosur i caktohet masa e paraburgimit

Mbrëmë i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh edhe njërit prej serbëve të arrestuar, i cili ishte plagosur gjatë aksionit. Seanca për të ishte mbajtur në QKUK.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK-së dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ditën e djeshme ka prezantuar arsenalin masiv të armëve që i është gjetur grupit terrorist.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë kanë bërë të ditur se në krye të grupit dyshohet të ketë qenë Milan Radojiçiq.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radojiçiq është i dyshuari kryesor për organizimin e këtij grupi terrorist. Kjo pasi në një nga veturat janë gjetur leje nga Serbia që ia kishte dhënë kriminelit Radojiçiqi për të përdorur disa armë.

Nga sulmi i grupit terrorist të dielën është vrarë policia i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe një tjetër është plagosur.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Policia e Kosovës ka vrarë tre pjesëtare të këtij grupi terrorist.

Lajme të ngjashme