Sulmi kibernetik ndaj Nacionales, i dyshuari e pranon fajësinë në prokurori – kërkohet dënimi i tij
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit Sokol Çavdarbasha, i cili në korrik të vitit të kaluar dyshohet se ka kryer sulm kibernetik ndaj gazetës “Nacionale”.
Sokol Çavdarbasha, në Prokurori e ka pranuar në tërësi kryerjen e veprës penale, për të cilën akuzohet.
“I pandehuri Sokol Çavdarbasha, në deklaratën e dhënë në Prokurori me datë 17.07.2023, ka pranuar në tërësi kryerjen e veprës penale për të akuzohet (deklarata e plotë gjendet në shkresat e lëndës).
Prokurori i Shtetit, ka ardhë në përfundim se te i pandehuri, janë manifestuar elementet qenësore të veprës penale të lartcekur si dhe janë siguruar prova të mjaftueshme për të argumentuar gjendjen faktike, me të cilat do të vërtetohet se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e kësaj aktakuze.
Andaj, pasi që i pandehuri është përgjegjës për kryerjen e kësaj vepre penale, konsiderojmë se aktakuza është e drejtë dhe e bazuar në ligj.” – thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Prokuroria Themelorë e Prishtinës në aktakuzë, i ka kërkuar Gjykatës, që në të caktoj seancë dhe ta aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë
“Po ashtu, i propozojmë Gjykatës që të aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë të datës 19.07.2023, e cila i është bashkëngjitur kësaj aktakuze.” – thuhet aty.
Çavdarbasha me datë 10 dhe 13 korrik të vitit të kaluar, e kishte sulmuar “Nacionalen”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, apo shkaktimit të dëmit të përsonit tjetër.
“Me datë 10.07.2022 në Prishtinë, i pandehuri Sokol Çavdarbasha, përmes Loptopit të tij të llojit “Lenovo” me numër serik PF3NLN7S, pa autorizim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të shkaktimit të dëmit të personit tjetër, ka kryer sulm kibernetik të llojit DDoS ndaj të dëmtuarës portalit online www.nacionale.com i cili ka rezultuar me degradimin dhe mosfunksionim normal të portalit, e po ashtu me datën 13.07.2022, e ka skanuar në vazhdimësi ëeb faqen e të dëmtuarës përmes programeve të veçanta nëpërmjet internetit dhe ka tentuar të qaset edhe në panelin (indeks fajllin) e ëeb faqes me qëllim që të gjej hapësi (dobësi) për tu qasur pa autorizim brenda sajtit -, “.
Çka thotë ligji, sa mund të dënohet Çavdarbasha?
Kodi Penali i Republikës së Kosovës, konkretisht neni 327, parasheh sanksion për këtë vepër penale.
Hyrja në sistemet kompjuterike, paragrafi 1, për të cilën akuzohet Çavdarbasha, parasheh sanksion deri në 3 vjet burgim.
“Kushdo që pa autorizim dhe me qëllim që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete apo personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ndryshon, publikon, shlyen, asgjëson apo shkatërron të dhënat apo programet kompjuterike ose në ndonjë mënyrë tjetër hyn në sistemin kompjuterik të tjetrit, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në (3) tre vjet.”
Prokuroria po e hetonte qysh nga gushti i vitit të kaluar Çavdarbashën
Prokuroria Themelore në Prishtinë, hetimet ndaj Sokol Çadarbashës i kishte filluar qysh nga gushti i vitit të kaluar. Pra një muaj, pas kryerjes së veprës nga Çavdarbasha ndaj Gazetës Nacionale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me datë 21.10.2022, ka pranuar kallëzimin penal nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prishtinë, me numër 2022-DHKO-047 të datës 20.10.2022, të ushtruar kundër të dyshuarit Sokol Çavdarbasha për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale Hyrja në sistemet kompjuterikë nga neni 327 të KPRK-së.
Prokurori i Shtetit, me datë 03.08.2022, ka marrë Aktvendim PP.II.nr.3588/22 për fillimin e hetimeve kundër të pandehurit Sokol Çavdarbasha për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale Hyrja në sistemet kompjuterike nga neni 327 paragrafi 1 të KPRK-së. Pas analizimit të hollësishëm të kallëzimit penal dhe shkresave tjera të lëndës dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore nga ana e Prokurorit, janë siguruar prova dhe të provuarit, se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, në kohë, vend dhe mënyrën e përshkruar si në dispozitivin e kësaj aktakuze.” – thuhet në aktakuzë.
Sulmet kishin nxitur reagime
Vitin e kaluar gazeta Nacionale ishte përballur me sulme të mëdha kibernetike. Sulmet kishin vazhduar me ditë të tëra. Ato kishin rezultuar me vështirësi të mëdha në punë, duke pamundësuar operimi normal të gazetës.
Veprime të tilla ishin konsideruar edhe si sulme ndaj fjalës së lirë dhe dëmtim në aspektin financiar të mediumit.
Këto raste gazeta i kishte raportuar në Policinë e Kosovës, njësitin për Krime Kibernetike.
Sulmet kibernetike ndaj gaztës kishin nxitur reagime të shumta në vend.
Ndaj këtyre sulmeve kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK-ja kishte kërkua nga organet e rendit që të hetojnë urgjentisht këtë rast.
"AGK-ja kërkon nga Policia e Kosovës, dhe Njësiti për Krime Kibernetike që të hetojnë urgjentisht burimin e këtyre sulmeve dhe gjetjen e autorëve të këtij organizimi", ishte thënë në reagimin e AGK-së.