Sulme e situatë e tensionuar në veri të vendit - çka ndodhi gjatë javës?
Situata e tensionuar në veri të vendit ishte ndër ngjarjet kryesore të javës që po e lëmë pas. Sulmet ndaj policëve, gjuajtjet me armë nga grupet kriminale në komunat veriore të Kosovës, po vazhdojnë tash e disa ditë. Çka ndodhi gjatë javës?
Veriu
Situata në veri të vendit po vazhdon të jetë e tensionuar dhe alarmante për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga grupet kriminale ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës.
Këto sulmet e kjo situatë u krijua për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve më 18 dhjetor në katër komunat veriore; Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Pas kësaj situate, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vendosi për shtyrjen e zgjedhjeve deri në muajin prill 2023.
Megjithatë situatat në veri nuk ndryshoi.
Arrestimi i ish-policit, Dejan Pantiq, tashmë po duket se është arsyeja kryesore pse këto sulmet po vazhdojnë. Pantiq dyshohet se ishte përfshirë në sulm ndaj policisë dhe në objektet e KQZ-së.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të shtunën mbrëma janë sulmuar me armë zjarri në Ujman, dhe janë detyruar që të përgjigjen me të shtëna. Nuk dihet deri më tash nëse ka të lënduar, apo dëme materiale. Të shtëna janë raportuar edhe në zona tjera.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Kujtojmë se një polic i Kosovës mbeti i plagosur ditë më parë nga të shtënat në veri të vendit.
Gjithashtu, rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në veri të vendit, janë bllokuar me mjete të rënda motorike.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se dy pikat kufitare që çojnë për në Serbi janë mbyllur. Ajo e Jarinjes dhe Bërnjakut.
Reagimet për veriun
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për situatën në veri të vendit, duke thënë se kjo po bëhet nga grupet kriminale të cilat po nxiten nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës)”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se “agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
“Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se edhe në këtë sfidë, Kosova do të del fitimtare.
“Në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik Vuçiq nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Edhe në këtë sfidë do të dalim fitimtar”, ka thënë Osmani.
Partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë Kurti për mos-krijimin e kushteve për zgjedhjet në veri të vendit si dhe për situatën që është krijuar atje.
Në anën tjetër, SHBA dhe BE kanë dënuar incidentet e dhunshme të ditëve të fundit në veri të Kosovës.
Ndër ngjarjet tjera të javës përmendim edhe zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari. Lajmin për këtë e konfirmoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media.




