Çka thuhet në Rezolutën 1244 mbi të cilën Serbia po mbështetet për "dislokimin e forcave në Kosovë?" - NACIONALE

Çka thuhet në Rezolutën 1244 mbi të cilën Serbia po mbështetet për "dislokimin e forcave në Kosovë?"

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Veriu i Kosovës u trondit nga disa sulme në ditët e fundit, duke përfshirë shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri në drejtim të komisioneve komunale zgjedhore teksa zyrtarët po kryenin aktivitete parazgjedhore. Por, ato nuk po ndalen dhe duket se këtu Serbia ka ‘nuhatur’ diçka më shumë në kërcënimet e saj të pabaza ndaj sigurisë së Kosovës. Çka përfshin Rezoluta 1244 e OKB-së?

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, dekalroi të enjten se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë dhe sipas tij ky veprim do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas deklaratës së Petkoviqit, edhe kryeministrja e Serbsë, Ana Bërnabiq, tha se janë afër vendimit për të kthyer ushtrinë e shtetit serb në Kosovë “ashtu siç parashihet në Rezolutën 1244”.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ripërsëriti deklaratat e bashkëudhëheqësve të tij duke thënë se Beogradi do t'i dërgojë një kërkesë komandantit të KFOR-it për të siguruar dislokimin e forcave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e OKB-së në fjalë.

Kjo është hera e parë që Beogradi kërcënon të vendosë trupa në Kosovë, duke u thirrur në dispozita e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Cila është pika e rezolutës së cilës i referohen liderët serbë?

Rezoluta 1244 u ofrua si një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare civile dhe ushtarake që do të siguronte një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe prani të sigurisë që do të mbikëqyrte kthimin e refugjatëve dhe tërheqjen e forcave ushtarake nga Kosova.

Rezoluta thekson se prania civile ndërkombëtare do të lehtësojë një proces politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Rezoluta ka një përjashtim të lehtë lidhur me kthimin e personelit serb në Kosovë.

Bëhet fjalë për pikën 6, ankesin 2 të Rezolutës e cila parasheh që një numri të caktuar i personelit serb do t’i lejohej kthimi në Kosovë vetëm në disa raste specifike.

Një numër i rënë dakord i personelit serb do të lejohet të kthehet për të kryer funksionet e mëposhtme:

· Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë;

· Shënimi/pastrimi i fushave të minuara;

· Mbajtja e prezencës në objektet e trashëgimisë serbe;

· Mbajtja e pranisë në pikat kyçe kufitare.

Megjithatë, një nga pjesët kryesore të Rezolutës në këtë drejtim është pika 9, paragrafi 1, i cili parandalon ripërtëritjen e armiqësive, ruajtjen dhe, atje ku është e nevojshme imponimin e armëpushimit, sigurimin e tërheqjes dhe parandalimin e kthimit në Kosovë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë duke përjashtuar vetëm raste specifike të lartëpërmendura në pikën 6 të ankesit 2.

“Parandalimi i armiqësive të ripërtëritura, mbajtja dhe kur është e nevojshme zbatimi i armëpushimit, dhe sigurimi i tërheqjes dhe parandalimi i kthimit në Kosovë të forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake Federale dhe Republikane, me përjashtim të rasteve të parashikuara.”

Lidhur me këtë, politologu Shkodran Ramadani në një prononcim për Nacionalen ka thënë se nuk ka bazë që Serbia të vendosë ushtrinë serbe në Kosovë në rrethana të tilla.

Sipas tij, kjo tregon se Serbia nuk është e kënaqur me praninë destruktive të Strukturave Paralele në veri të vendit dhe tani synon të ketë edhe prani ushtarake.

“Nuk ka kurrfarë baze për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Mirëpo kjo tregon karakterin ofenziv të Serbisë në këto rrëthana, kur dorëzimi i Kosovës në sëcilën nismë në veri të vendit është bërë i zakonshem dhe model i qasjes së qeverisë atje. Tregon se përkunder fitoreve të njëpasnjeshme ndaj Kosovës apetitet e Serbisë nuk po ngopen. Tash nuk mjaftohen me prezencën destruktive të Strukturave Paralele, por po synojnë prani të drejtperdrejtë ushtarake.” – tha Ramadani.

Politologu Ramadani theksoi se forcat paqeruajtëse të NATO-s natyrshëm nuk do ta lejonin diçka të tillë.

Ai ka kritikuar edhe ekzekutivin kosovar, duke thënë se aventurat e kësaj qeverie po ndikojnë në destabilizim të vendit.

“Gjithsesi, fatmirësisht këtu është KFOR-i dhe NATO që nuk do të lejojnë një gjë të tillë. Kjo siguri nga NATO është një nga arritjet e medha nga udheheqesitë e kaluara, të cilën kjo qeveri e dobët dhe e papjekur po e rrezikon me aventurat e veta.” – përfundoi ai.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Nacionalen ka thënë se deklarata të tilla bëhen për të pasur konsistencë në mbajtjen e tensioneve të larta në atë pjesë të vendit.

“Deklarimet e tilla janë për të mbajtur situatën nën presion sepse qeveria e Serbisë ka marrë informacionin nga NATO që çfarë do aktiviteti ushtarak i pretenduar do të kthehet në deklarim të shpalljes se luftës kundër NATO në gjitha instancat. Pra mund të themi që Serbia do të vazhdojë deklarimet ndërsa në anën tjetër, strukturat paralele të tyre janë aktive dhe prezente në pjesën veriore por që institucionet e Kosovës i kanë të ditura gjitha levizjet e tyre dhe fuqin e tyre operacionale.” – tha ai.

Lajme të ngjashme