‘Sulm ndaj Ramës’: Kurtit i reagojnë rreth deklaratës për marrëveshjen Shqipëri-Itali, ia kujtojnë atë me Danimarkën
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kritikoi marrëveshjen e migracionit mes Italisë dhe Shqipërisë, atij po ia rikujtojnë marrëveshjen e arritur mes Qeverisë së drejtuar nga vetë ai dhe Danimarkës, në lidhje me sjelljen e të burgosurve të huaj.
Duke folur në një intervistë në “Euractiv”, Kurti pati kritika për marrëveshjen në fjalë:
“Pranimi i përkohshëm i refugjatëve nëse e kërkon urgjenca është, natyrisht, gjithmonë i mundur.” - ka thënë Kurti, derisa ka hedhur poshtë idenë e përsëritjes së modelit italian. “Po flasim për qenie njerëzore që ndaj të cilëve duhet të ketë kujdes.” – ka shtuar ai.
Nisin reagimet
Ndërkohë, i pari që reagoi në lidhje me këtë çështje, ka qenë ish-kryediplomati Petrit Selimi. Në një shkrim në llogarinë e tij në rrjetin social “X”, ai e ka cilësuar këtë si sulm “të ulët” nga Kurti ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Tutje, ai ka përmendur marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me Danimarkën për të burgosurit emigrantë.
“Kryeministri i Kosovës kritikoi kryeministrin e Shqipërisë për marrëveshjen me Italinë rreth objekteve të emigrantëve. Një sulm i ulët ndaj Ramës, pasi që ishte vetë Qeveria Kurti që nënshkroi marrëveshje me Danimarkën duke hapur Kosovën për të strehuar qindra të huaj dhe emigrantë të burgosur në burgjet e Kosovës.” – ka shkruar ai.
Në anën tjetër, zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Gecaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se marrëveshja e Ramës ka qenë transparente dhe se dihet kush do të qëndrojë në qendrat e azilit.
Ndërkaq, për marrëveshjen e Kosovës me të burgosurit nga Danimarka, ai ka theksuar se asnjëri prej tyre nuk është danez, por janë të huaj.
“Ndersa, nese nuk e dine qytetaret, politika aktuale e Kosoves e dine, qe te burgosurit nga Danimarka, asnje nuk eshte danez apo shtetas te Danimarkes. Ata jane te huaj qe kane kryer vepra kriminale ne Danimarke dhe vine nga te gjitha kontinentet tjera.
Kujdesi per refugjate eshte akt human, kjo tjetra eshte me bo pare me kriminel!”.
300 të burgosur nga Danimarka në Gjilan
Sipas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Danimarkës, 300 qeli burgu në Qendrën e Paraburgimit në fshatin Pasjak të Gjilanit, së shpejti do të mbushen me 300 të burgosur nga Danimarka.
Të burgosurit, nuk janë danezë por qytetarë nga vende të huaja. Të njëjtit, nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.
Kosova në 10 vitet e ardhshme, duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh. Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.