“Pritet miratimi nga Qeveria”, 300 të burgosur nga Danimarka në Gjilan
300 qeli burgu në Qendrën e Paraburgimit që gjendet në fshatin Pasjak të Gjilanit, shumë shpejt do të mbushen me rreth 300 të burgosur nga Danimarka. Në këmbim të kësaj marrëveshjeje, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro nga shteti danez. Marrëveshja e nënshkruar në fundin e vitit 2021, pritet që të miratohet në Qeveri e pastaj të ratifikohet në Kuvend.
Sipas Marrëveshjesm krejt ky “operacion” pritet të kryhet në fillim të vitit 2023.
Por, edhe pse pritej që kjo marrëveshje të ratifikohej kohë më parë, kjo nuk ndodhi.
Gazeta Nacionale ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me procedurat që kanë mbetur të finalizohen deri të implementimi i kësaj marrëveshje, si dhe kohën kur pritet të jetësohet e njejta.

Nga ministria, nuk kanë dhënë ndonjë afat kohorë por kanë treguar hapat që priten të merrren, si dhe rradhitjen e tyre.
“Marrëveshja Kornizë e Partneritetit si pjesë e Traktatit, është nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Danimarkës, e përfaqësuar nga Ministria për Bashkëpunim Zhvillimor të Danimarkës. Pas nënshkrimit, Projektligji për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, pritet të dërgohet për miratim në Qeveri, dhe pas miratimit do të procedohen për ratifikim në Kuvend.”- thuhet në përgjigjjen e ministrisë së drejtësisë për Nacionalen.
Çka thanë ministrat e drejtësisë?
Ministri danez i drejtësisë, i asaj kohe, Nick Hakkerup, vitin e kaluar derisa po qëndronte për një vizitë në Kosovë, marrëveshjen për burgun e Gjilanit, e kishte vlerësuar vetëm si vazhdim të një bashkëpunimi mes dy shteteve.
Mendoj se një marrëveshje e tillë do të na mundësojë që të jemi më të zëshëm në çështjet si liberalizimi vizave dhe çështje të tjera që lidhen me BE-në dhe NATO-n. Dhe në këtë kohë kur bota po gjendet në vështirësi të mëdha, është e rëndësishme për ne që të shohim zotimin dhe angazhimin e madh nga Kosova drejt NATO-s dhe BE-së, dhe dëshirës për të qenë pjesë e vlerave perëndimore evropiane. Kjo marrëveshje do të na mundësojë që t’i mbrojmë interesat e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë edhe aspektin e liberalizimit të vizave që e kuptoj që është një temë me shumë rëndësi dhe një temë që do ta diskutoj në Danimarkë gjithsesi”, është shprehur Nick Hakkerup.
Kurse, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, kishte thënë se më së largu deri në muajin maj, të vitit të kaluar priste që marrëveshja të votohet në Kuvendet e të dyja shteteve. Por, para se të burgosurit danezë të arrijnë, në qendrën e paraburgimit në Gjilan duhet të bëhen edhe disa renovime kishte thënë ministrja Haxhiu.
“Në muajin që vjen gjegjësisht, në fillim të muajit maj, ende s’kemi vendosur datën se kur do të finalizohet kjo marrëveshje prej Kuvendeve të të dyja shteteve, prandaj është e rendeshishme që të kuptohet se synimet tona janë që sa më parë të finalizohet. Do të bëhen disa renovime në qendrën e praburgimit në Gjilan, ka nevojë për renovime të tilla që pastaj qendra të jetë gati”, kishe thënë Haxhiu në prill të 2022-ës.
KMDLNj kundërshton ashpër
Marrëveshjen për transferimin e rreth 300 të burgosurve nga Danimarka, e ka kundërshtuar sërish Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut.
Në një komunikatë për media, ata këtë marrëveshje e kanë vlerësuar si diskrimnuese dhe me rreziqe të mëdha për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Të burgosurit që do transferohen nga Danimarka nuk janë shtetas danezë por të vendeve tjera e që janë dënuar në Mbretërinë e Danimarkës dhe të cilët, pak para se ta përfundojnë dënimim në Kosovë do të kthehen në Danimarkë për t’u dëbuar në shtetet dhe vendet e origjinës”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.
Kosova në 10 vitet e ardhshme, duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh. Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.