Subvencionimi i policës kufitare për mërgatën, qytetarët i reagojnë Kurtit: Kjo është me i marrë fukarasë dhe me i jep zingjinit
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e policës kufitare për mërgatën ka nxitur reagime të shumta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në statusin që e ka bërë sot për këtë çështje ka marrë shumë komente.
Shumë qytetarë kanë vlerësuar se një vendim i tillë nuk është drejtë, raporton Nacionale.
Sipas tyre, me këtë vendim Qeveria e Kosovës me taksa të qytetarëve të varfër po subvencionon policat e mërgimtarëve, të cilët llogariten si më të pasur.
Qytetari Arben Nuha ka thënë se Qeveria po merr para prej të varfërve dhe po ua jep më të pasurve.
“Ti pagun sigurimin e mërgimtarëve nga taksapaguesit e Kosovës, mer pare fukaras e jep zingjinit kështu i bjen kjo ! Keni mi vjedh do miljona shum tash pazar direkt Qeveri Sigurim! Blerje votash ësht kjo, veç niher t’ka dhez ma jo”, ka shkruar Nuha.



Edhe shumë qytetarë tjetër kanë shprehur kritika për këtë vendim të Qeverisë.
Ata kanë vlerësuar se vendimi i qeverisë është veprim populist, që synon blerjen e votës së bashkatdhetarëve.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se nga e hëna mërgimtaret mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj.
“Të dashur bashkatdhetarë, Si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.