Staroviqi i Qeverisë së Serbisë thotë që gatishmëria ushtarake u ngrit "si paralajmërim" - NACIONALE

Staroviqi i Qeverisë së Serbisë thotë që gatishmëria ushtarake u ngrit "si paralajmërim"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ngritja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe është parë në Kosovë si thjesht një nga lojërat e radhës nga presidenti Vuçiq për të rritur tensionet në veri të vendit. Por, qysh po e arsyetojnë këtë veprim nga pala serbe?

Gjatë ditës së djeshme u raportua edhe vendosja e gjashtë obusëve në afërsi të kufirit të Serbisë me Kosovën. Gjatë mbrëmjes së pardjeshme, komandanti i Shtabit të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, u nis me urgjencë drejt Rashkës duke thënë që kishte marrë detyra nga presidenti i Serbisë, që është edhe komandant suprem i forcave të armatosura serbe.

Por, qysh po arsyetohen këto veprime tensionuese nga lidershipi politik në Serbi? Duhet të kujtojmë që sot është dita e 18 e barrikadave në veri të Kosovës.

Sekretari shtetëror Nemanja Staroviq foli për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.

“Ngritja e nivelit të gatishmërisë luftarake nuk përbën kërcënim për askënd, është veç një paralajmërim...” – u shpreh ai për RTS-në.

Ai shtoi se ky është një lloj paralajmërimi që Serbia nuk do të lejojë të përsëritet marsi i vitit 2004.

Staroviq mohoi edhe raportimet që ishte sulmuar KFOR-i.

Pa dhënë asnjë provë, ai shtoi se “ka kërcënime serizoe për dhunë ndaj serbëve nga veriu i Kosovës që vijnë prej Prishtinës, dhe se serbët po i zhvillojnë protestat e tyre në mënyrë paqësore dhe jo të dhunshme për shkak të cenimit të të drejtave themelore njerëzore dhe demokratike...”

Në fjalën e tij ai përmendi arrestimin e ish-policëve serbë të Kosovës.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme në Rashkë qëndroi edhe ministri serb i Mbrojtjes, Vuçeviq, i cili takoi pikërisht shefin e shtabit të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviqin.

Serbia mbrëmjen e kaluar i kishte hequr nga kufiri obusët dhe i kishte futur më pas në kazermë ushtarake. Ministri Vuçeviq ishte shprehur në fjalën e tij se Serbia do të rriste edhe kapacitetet e saj në njësinë speciale nga 1500 në 5000 trupa.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua me komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccian ku shprehën konstatimin e përbashkët se barrikadat duhet të hiqeshin nga rrugët e bllokuara në veri.

Lajme të ngjashme