Specialja e njofton Gucatin se e ka përfunduar dënimin: Liria ime nuk mund të jetë e plotë pa shokë
Ish-kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se Gjykata Speciale e ka njoftuar të martën se ka përfunduar dënimin prej katër vite e tre muaj burgim.
Ai në një shkrim, fillimisht ka thënë:
“Ajo që me goditi më së shumti ishte vdekja e babës i cili ndërroi jetë sa isha në Hagë. Gjatë qëndrimit në Hagë së bashku më shokët dhe bashkëluftëtaret i qëndruam pranë njëri tjetrit dhe secili nga ne treguam zotësi të vërtetë dhe qëndruam ballë lartë dhe krenar për veprat tona, asnjëherë nuk u dorëzuam”.
Gucati ka shtuar se liria e tij nuk mund të jetë e plotë, pa ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
“Por liria ime nuk mund të jetë liri e plotë pa shokët, duke filluar nga Baca Jakup, Hashimi, Kadriu, Rexha Cali e Pjetri, të cilët janë të pafajshëm dhe i duhen më shumë se kurrë Kosovës sot”.
“Faleminderit gjithë atyre që më qëndruan pranë mua dhe familjes time gjatë kësaj periudhe. Çdo herë do jem në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të Kosovës” – ka shtuar ai.