Politikani gjerman përballet me thirrje për dorëheqje për fëmijën me surrogaci - NACIONALE

Politikani gjerman përballet me thirrje për dorëheqje për fëmijën me surrogaci

1 orë më parë

nga NACIONALE

Politikani gjerman i qendrës së djathtë, Jens Spahn, është akuzuar për zbatim të standardeve të dyfishta, pasi tregoi se ai dhe bashkëshorti ishin bërë prindër përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara.

Surrogacia është e ndaluar në Gjermani dhe kjo politikë mbështetet prerazi nga partia e tij kristian-demokrate. Vetë Spahn madje e kishte mbështetur këtë politikë para disa viteve, raporton televizioni BBC.

Edhe pse rritja e një fëmije të marrë nga një nënë surrogate jashtë vendit nuk është e ndaluar në Gjermani, politikani 46-vjeçar është kritikuar nga kolegë të disa partive, përfshirë edhe partinë e tij.

“Politikanët që vendosin standarde për të tjerët duhet të maten edhe vetë me to” – tha Marion Rosin, bashkëpartiake e tij në Thuringia dhe pjesë e Unionit të Grave. “Nëse ky kredibilitet humbet, dorëheqja është çështje pasoje” – shtoi ajo.

Spahn, udhëheqës i grupit parlamentar të Kristiandemokratëve dhe Unionit Socialdemokrat, njoftoi të mërkurën se ai dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, ishin bërë prindër.

“Georg-i është gëzimi ynë më i madh. Kjo ndjenjë është pothuajse e pamundur të përshkruhet me fjalë” – i tha ai tabloidit “Bild”. Më pas, bashkëshorti i tij publikoi një fotografi të çiftit në rrjetin “Instagram”, ku Spahn shihet duke shtyrë një karrocë fëmijësh. Mbishkrimi i fotografisë ishte “Ne jemi familje”.

Sipas Aktit për Mbrojtjen e Embrionit, legjislacion i vitit 1990, surrogacia në Gjermani dënohet me tri vite burgim ose gjobë, prandaj Spahn dhe partneri i tij e zgjodhën ShBA-në për të gjetur një nënë surrogate.

Lajme të ngjashme