Sot vendoset për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë: VV-ja me fushatë presioni ndaj KGJK-së, BE-ja kundër presionit - NACIONALE

Sot vendoset për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë: VV-ja me fushatë presioni ndaj KGJK-së, BE-ja kundër presionit

2 orë më parë

nga NACIONALE

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot do të vendos për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë në veri. Në mbledhjen e sotme në rend të ditës është edhe diskutimi rreth kërkesës të u.d. presidentes së Kosovës dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

Para kësaj mbledhje, ky institucion është vendosur para një presioni të madh.

Kjo pasi partia në pushtet ka nisur në fushatë presioni ndaj anëtarëve të KGJK-së, ku kërkohet që gjyqtarët serbë që kishin dhënë dorëheqje të largohen nga puna.

Këtë fushatë e ka nisur deputetja e zgjedhur e VV-së, Adriana Matoshi.

Ajo është deklaruar kundër kthimin të gjyqtarëve serbë, të cilin kanë dhënë dorëheqje vite me parë.

Në profilin e saj në Facebook, Matoshi ka shkruar se nuk beson që ka shqiptar që a bën argatin presidenti të Serbisë.

“Kur Albini nisi me pastru veriun,disa gjyqtare serb paten dhon doreheqje me urdher te Vuçiqit. Tash po dojn mu kthy, edhe neser po votojka ne KGJK. Aty jane 10 shqiptare, qe nuk ish dashte as me bo teme, leje mo m’i lon m’u kthy ne pozita. Po du me besu qe s’ka shqiptar qe ja bon argatin Vuqiqit”, ka shkruar ajo.

Mendim të njëjtë ka shprehur edhe deputeti tjetër i VV-së, Mefail Bajqinovci.

“Anëtarë të KGJK-së e kanë para vetes nesër votimin për gjyqtarët serb që kishin dhënë dorëheqje. Këta gjyqtarë NUK duhet të lejohen të kthehen më, dhe për këtë vendosin 10 gjyqtarë shqiptarë, dhe 1 serbe. Kryetari i KGJK-së Rrustem Thaqi dhe çdo anëtar aty duhet të deklarohet publikisht që kjo nuk duhet të lejohet! Do t’ishte shkelje me vepru ndryshe, ose më mirë thënë nën presionin e Vuçiqit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Ndaj kësaj fushate, ka reaguar Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përmes një reagimi, BE-ja ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga ushtrimi i çfarëdo presioni ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe anëtarëve të tij gjatë procesit të vendimmarrjes.

Në reagimin e tij, misioni i BE-së ka theksuar se një gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe apolitik është themelor për sundimin e ligjit, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Kosovë.

Misioni i BE-së ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe respektimit të parimeve të shtetit ligjor.

Lajme të ngjashme