Sørenseni e ‘djeg’ Kurtin: “Biseduam për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit”
6 gusht 2025 – Ish-kryeministri Albin Kurti zor që do t’i mbulojë me gjethe fiku zotimet e bëra në Marrëveshjen e Ohrit.
Atij i është kërkuar edhe sot zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, ku ndër të tjerash nënkuptohet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
I dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Peter Sørensen ka zhvilluar takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrin Albin Kurti.
Në paraqitjen e shkurtër për media pas takimit me këtë të fundit, diplomati evropian ka thënë se u bisedua për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Jam këtu si pjesë e mandatit tim. Bisedimet janë se si të zbatojmë Marrëveshjen e Ohrit dhe për gjendjen në terren. Natyrisht, gjendja politike këtu nënkupton se gjërat mund të marrin ca më shumë kohë. E di këtë”, ka thënë shkurt Sørensen.
Se Marrëveshja e Ohrit është e ‘gjallë’, këtë e pati paralajmëruar më 21 maj edhe udhëheqësja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Gjersa kishte folur për këtë marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, kryediplomatja evropiane kishte thënë se Marrëveshja e Ohrit mbetet në fuqi.
“Dhe duhet të përmbushet nga të dyja palët”, kishte theksuar Kallas.
Në nenin 10-të të Marrëveshjes së Ohrit thuhet se “të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, që mbeten të vlefshme dhe detyruese”.
Sado që në shtojcën për zbatimin e marrëveshjeve ishte theksuar se “rendi i paragrafëve…nuk paragjykon rendin e zbatimit të tyre”, është e qartë sot e gjithë ditën se ShBA dhe BE përparësinë kryesore ia japin themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Derisa Kurti gjatë qeverisë së tij mbylljen e strukturave paralele në veri e shiste në opinion si veprim sovranist, ambasadat perëndimore në Prishtinë e patën përgënjeshtruar keq.
Sipas tyre, mbyllja e institucioneve paralele, sidomos atyre financiare, bëhej ashtu që t’i sheshohej udha themelimit të Asociacionit.
“Ambasada gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë Asociacionin, që do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kishte deklaruar ambasada gjermane në shkurt të këtij viti. /Nacionale/