Sorensen në Prishtinë: A do të ketë një takim Kurti – Vuçiq sivjet? - NACIONALE

Sorensen në Prishtinë: A do të ketë një takim Kurti – Vuçiq sivjet?

7 muaj më parë

nga NACIONALE

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka takuar sot në Prishtinë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Pas takimeve, Sorensen është deklaruar shkurt për media, se ‘presin që viti 2026 të sjell për dialogun, atë që 2025-të nuk e solli’.

“Urime për zgjedhjet që sapo keni mbajtur. Tani do të presim edhe konstituimin e Kuvendit dhe Qeverinë të nis punën.

Po ashtu, si çështje e rëndësishme gjatë vitit 2025, ne do të vazhdojmë të punojmë me respect në çështjen e dialogut dhe me shpresën e madhe që 2026-ta do t’na japë atë që 2025-ta nuk na e dha.

Kjo është arsyeja pse e kam filluar vitin me takime këtu dhe po ashtu do të shkoj në Beograd, gjatë javës” – deklaroi Sorensen para mediave.

Ai është pyetur nëse do të ketë një takim të nivelit të lartë këtë vit, midis kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiqit.

“Ajo që do të bëjmë është që të sigurojmë që të dy palët të flasin. Do të gjejmë një rrugë që kjo do të ndodh. Përfaqësuesi i Lartë pati një takim vitin e kaluar në Prishtinë dhe Beograd dhe ka marrë zotime se do të ndodh një takim në kohën e duhur, kur ajo ta thërrasë atë. Le të shohim, do ta shohim”, tha ai.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Lajme të ngjashme