Sllovakia ende “nuk ka arsye” të njohë Kosovën, por e sheh si “frer për Serbinë” drejt BE-së - NACIONALE

Sllovakia ende “nuk ka arsye” të njohë Kosovën, por e sheh si “frer për Serbinë” drejt BE-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sukses të madh të Serbisë” e kishte quajtur më 2009 kryeministri sllovak, Robert Fico, atë që Serbia kishte parashtruar pyetje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth validitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008; aktin pavarësues dhe njohjet pasuese ndërkombëtare të cilat Bratisllava i vlerësonte për “gabime madhore”.

Fico-s i kishte rezultuar huq prognoza për “sukses të madh të Serbisë” ngase opinioni i GJND-së (2010) e kishte trazuar Beogradin – dhe mbështetësit e saj, kryesisht lindorë – duke e miratuar pavarësinë e shtetit kosovar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ishte qysh nga fillimi që Fico – një popullist i regjur dhe me flirtime të hapura me Federatën Ruse – e garantonte asokohe kryeministrin serb Mirko Cvetkoviq, se Kosova s’do të njihet nga Sllovakia.

Ky i fundit e falënderonte “(...) për lobimin në favor të Serbisë”.

Kini parasysh sado pak interesat e Serbisë”, shprehej kryeministri – edhe asokohe – i Sllovenisë, siç e citonte SITA, referuar kryesisht amerikanëve; duke shtuar se “nuk e kemi as për simpati ndaj Serbisë, dhe as për marrëdhëniet me ShBA-në ose Rusinë”.

Qeveria veçse e bën të qartë që do të bëjë çmos për ët ruajtur interesat kombëtare kundër sovranitetit të Sllovakisë nga SMK-ja e Pal Csaky”, shprehej ai, duke i jehuar të-ashtuquajturës-frikë nga “secesionizmi/pavarësizmi” i minoritetit hungarez në jug të Sllovakisë.

Përtej kontekstualizimit historik – linja dhe gjuha e cila i ka mbijetuar testit 16 vjetor të kohës – Sllovakia është shprehur në mbështetje të arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e cila, sipas tyre, mund-ose-jo të ndryshojë qasjen sllovake kundrejt Prishtinës.

Tashmë që ka Marrëveshje, ndonëse Bazike, mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria sllovake ende nën Fico-n, dhe atë me mandat të rivitalizuar në tetor të 2023’ës, qëndron aty ku ka qenë; ndonëse Serbia, supozohet, të mos e pengojë rrugëtimin evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës.

Ishte po ky kryeministër i cili ditëve të fundit e konfirmoi qëndrimin këmbëngulës mohues në një intervistë për “Tanjug”, duke thënë se “Sllovakia nuk sheh arsye të ndryshojë qëndrim në mos-njohen e Kosovës”.

Prandaj, nëse mbetemi në platformën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, standardeve se si duhet të krijohet një shtet i pavarur, atëherë mund të na besoni, nuk shohim arsye për ta njohur Kosovën”, tha Fico, deklaratë kjo e cila jehoi nëpër ballinat e gazetave serbe gjatë kësaj jave, si një konfirmin të qëndrimit të favorshëm sllovak kundrejt tyre.

Fico – qysh nga 2008’a e gjer më sot – i qëndron asaj që mbështet Serbinë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si proces të ndarë nga çështjet/kontestet me Kosovën.

Por, kësaj here, nga Beogradi, u shpreh megjithatë se – po – çështja e zgjidhjes dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën “do të jetë freri” i BE-së për Serbinë në krejt këto shtigje; gjë që është edhe e ingranuar në Kapitullin 35 të bisedimeve-për-anëtarësim të Serbisë me unionin evropian.

"Unë me të vërtetë dua që vendet si Serbia të kenë të njëjtin shans. Është shumë e rrezikshme nëse në plan të parë dalin kriteret politike dhe jo kriteret që janë të rëndësishme: dmth kriteret e shtetit ligjor, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe gatishmërisë ekonomike, nëse Serbia do të ishte anëtare e Bashkimit Evropian, në përgjithësi do të ulte tensionin”, tha ai, ledhatueshëm për Beogradin.

Lajme të ngjashme