Skandali i 100 milionësh: Pse Gërvalla s’i beson shtetit të Kosovës por fjalës së Martin Berishajt?
Skandali i Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, është padyshim afera më e madhe korruptive që ka përfshirë diplomacinë kosovare. Ambasadori Berishaj dyshohet se është përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni.
Dyshimet janë se Berishaj mori qindra mijëra euro nga GEN-i serb, përkundër kësaj ai akoma vazhdon ta mbajë postin e ambasadorit. Sot ministrja e jashme, Donika Gërvalla tha se nuk ka asnjë mundësi që ambasadori Berishaj të shkarkohet.
“Sa i përket pyetjes së dytë për ambasadorin Berishaj më lejoni të them shkurt, unë kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj, sikur u ngritën spekulimet e para, nga shtetet që janë përmendur që të na japin informacione se a janë të vërteta apo janë spekulime të mediave. Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale, ambasadori shkarkohet kur ka arsye faktike pse ambasadorit duhet të shkarkohet”, tha Gërvalla.
Shkarkimin e tij e kanë kërkuar edhe përkrahësit më të mdhenj të kryeministrit Albin Kurti në sferën e analistëve të Kosovës, Shkelzen Gashi, Xhevdet Pozhari e Rron Gjinovci. Ndonëse postimet e tyre ishin shumë pak të pelqyera nga audienca e tyre.
Big Brother Vip Kosova dhe Big Brother Vip Albania jane dy emisionet më të shikuara në televizionet shqiptare. Këto dy emisione kane marrë vemendjen e gjithë qytetarëve, duke lënë nën hije debatet politike dhe emisionet sportive. Kjo gjë ka bërë pak xhelozë këta të fundit.
Postimi nr.1: Donika Gërvalla
“Deri në këtë moment nuk kam as edhe një informacion të vetëm, do të vazhdoj të kërkoj informacione, nuk kam informacione që shkelje të tilla kanë ndodhur apo që hetime të këtyre natyrave janë duke ndodhur”, tha Gërvalla për rastin e ambasadorit Berishaj, teksa njoftoi se nuk do të diplomati në fjalë.
Komenti:
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në Kosovë për dyshimet se ai ka qenë i përfshirë në shpëlarje parash.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, nën dyshimin për mosdeklarim të pasurisë.
Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Gjykata e Qarkut në Lubjanë e ka hedhur poshtë padinë e Martin Berishajt ndaj mediumit slloven “Planet TV”.
Këto janë dëshmi që akuzat ndaj Berishajt nuk janë as shpifje e as thjesht spekulim, por një proces i bazuar në fakte dhe i cili ka marrë trajte institucionale në shumë nivele: gjyqësore, prokuroriale, policore dhe parlamentare.
Pra, e dashur ministre, nuk bëhet fjalë për spekulime mediatike por procese shtetërore dhe moshkarkimi i tij e dëmton Kosovën.
Kosova ka nevojë ta forcojë sistemin diplomatik, dhe jo të mbajë diplomatë të dyshuar për afera të tilla të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Cili politikan apo diplomat i huaj do ta takojë Martin Berishajn pas këtyre proceseve dhe akuzave?
Psh, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, sot në viziten e saj në Kosovë refuzoi ta komentojë rastin e Martin Berishajt. Në të njëjtën mënyrë politikanët dhe diplomatët perëndimorë do t'i refuzojnë takimet dhe bashkëpunimin me të.
"Për çështjet që kanë të bëjnë dhe merret sistemi i drejtësisë, unë nuk do të komentoj”, tha sot Fajon.
Postimi nr.2: Jeffrey Hovenier
“Askush të mos harrojë apo mohojë çfarë ka ndodhur këtu, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë erdhën këtu për të mbrojtur popullin e Kosovës”, tha Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier në Përkujtimin e masakrës së Reçakut.
Komenti:
Në kohën kur ShBA disa herë është shprehur e shqetësuar dhe e zhgënjyer me vendimet e Qeverisë së Kosovë, një deklaratë e tillë është jashtëzakonisht e mirëseardhur dhe të bën të ndjehesh rehat. Pa dyshim ky postim është postimi më i mirë i ditës.
Postimi nr.3: Ylli Manjani.
“Njerëzit duhet të jenë të lirë të pëlqejnë çfarë të duan. Ata që shprehin palumturi, apo kritikë e madje edhe fyerje për njerëzit për ndjekin dhe pëlqejnë Luisin apo Big Brother, janë kundër lirisë. Me ose padashje”, shkruan ish-ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ylli Manjani në mbrojtje të audiencës së emisionit Big Brother.
Komenti:
Big Brother është emisioni më i shikuar kudo që transmetohet në botë. Edhe në vendet perëndimore. Pse nuk duhet të shikohet ky emision, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri? Debatet politike që dominojnë televizionet shqiptare nuk janë asgjë më kualitative se sa ky lloj shou. Dhe jeta e njeriut nuk është veç mbijetesë, është edhe argëtim. Andaj emisionet e tilla, emisionet sportive e të shoubizit janë të rëndësishme për qytetarët dhe si të tilla duhen edhe të trasmetohen dhe të ndiqen.
Postimi nr4: Andi Haxhiu
“Besianë Musmurati është motorri i këtij mandati qeverisës në Komunen e Prishtinës. Vleresojeni punën e saj dhe investimet infrastruktore qe po i bën nëpër shkollat e kryeqytetit. Transformime ne afat rekord dhe mbajtje të premtimeve deri ne realizimin e tyre ne perpikmëri. Qasje serioze ne procesin e digjitalizimit dhe jetesimit gati se maksimal te planeve elektorale”, shkruan sociologu Andi Haxhiu.
Komenti:
Postimi i Andi Haxhiu meriton të pelqehet, sepse drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati është shpallur si drejtorja më e sukseshme e komunës, si nga vellimi i punëve, ashtu edhe nga niveli i paraqitjes, nga gazeta Koha Ditore. Në një shoqëri që vlerëson pak gratë, na ë bën obligim që punën dhe kontributin e grave, sidomos në politikë, ta theksojmë dhe ta vlerësojmë.
“Me 8 premtime të përmbushura e 14 të filluara, Drejtoria e Arsimit është ajo që ka numrin më të madh të përmbushjes së premtimeve. E udhëhequr nga Besianë Musmurati, kjo drejtori pritet që këtë vit të fillojë edhe ndërtimin e disa shkollave dhe disa çerdheve në Prishtinë”, shkruan Koha Ditore.


